Tash e 10 vjet marrin rrogë pa iu shkelë këmba në UP

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu ka thënë se ka individë të cilët tash e 10 vjet nuk kanë qenë në Prishtinë dhe asnjëherë nuk iu është ndalur paga nga UP-ja. 

Lajme

29/09/2014 22:04

Kjo është skandaloze sepse s’ka guxuar askush t’i shkëpusë këto kontrata të jashtëligjshme, që i bie diku, për 10 vite, 250 mijë euro pa ardhur kurrë në UP, është shprehur ai në emisionin Puls të KTV-së.

Lidhur me protestën e një grupi të studentëve të cilët kërkojnë shkarkimin e tij, Zejnullahu ka thënë se ai është duke u kontestuar për shkak se një grupacion, i cili ka shtrirë ndikimin thellë në të gjitha poret e vendimmarrjes në UP, do t’i humbë privilegjet.

“Unë nuk besoj që janë fajtorë këta studentë, por mendoj se prapa tyre kanë disa njerëz brenda UP-së, pa dhënë emra. Këta studentë po i realizojnë agjendat e individëve brenda UP-së. Mjerisht këta individë janë edhe në vendimmarrje. Kanë ardhur duke konsumuar vepra penale dhe duke shpërdoruar prona të universitetit”, ka thënë Zejnullahu.

Ai ka thënë po ashtu se do të luftojë për shkëputjen e  kontratave të paligjshme në Universitet.

“Kemi kontrata të llojllojshme, kemi kontrata të dyfishta të rregullta, që janë të kundërligjshme, kemi kontrata antiligjore që janë të mbuluara me memorandume me qeverinë, që janë bërë për shkak të interesave të veçanta, si psh. me agjenci të ndryshme. Unë nuk do të rri rektor po qe se nuk i shkëpus dy kontratat e rregullta që janë antiligjore për momentin në UP”, ka thënë rektori Zejnullahu për KTV.