Tarifat që mbushin arkat e kompanive dhe varfërojnë konsumatorin

Aplikimi i tarifave fikse nga kompanitë publike dhe komunale po ngarkon qytetarët dhe po vështirëson jetën e tyre, pasi që kështu ato po e rrisin koston e faturave. Këto fatura, sipas shoqatës që merret me mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, janë vendosur pa diskutime paraprake.

Lajme

07/12/2014 10:41

Kompanitë publike dhe komunale, të cilat ofrojnë shërbime të ndryshme për qytetarët, aplikojnë tarifa fikse nga të cilat ato brenda vitit krijojnë të hyra me miliona euro. Rrjedhimisht, këto tarifa në masë të madhe e ngarkojnë konsumatorin, pasi që rrisin faturat mujore. Kompania e cila furnizon më energji elektrike, KEDS aplikon tarifë fikse prej 2.50 euro në muaj, ndërsa këso lloj tarifash ka edhe Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Postë Telekomi i Kosovës (PTK) dhe kompanitë tjera. Shoqata që merret me mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve thekson se këto tarifa janë të pakuptimta dhe janë të vëna pa pasur konsultime paraprake me konsumatorët.

Zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra ka treguar për revistën mujore “EKONOMIA” se kjo kompani ka 480 mijë konsumatorë. Ai ka thënë se tarifën fikse si kompani e kanë gjetur në fatura të energjisë elektrike para se ta privatizojnë rrjetin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike. “Tarifa fikse mbulon kostot apo përfaqëson kostot për leximin e njehsorit, printimin dhe shpërndarjen e faturës te konsumatorët. Tarifa fikse është e aprovuar nga ZRRE-ja dhe aplikohet edhe para ardhjes së KEDS-it”, ka thënë Shkodra.

KEDS-i aplikon tarifë fikse për 2.50 euro për çdo muaj në fatura, derisa ka 480 mijë konsumatorë. Nga një përllogaritje e thjeshtë i bie se KEDS-i brenda një muaji  inkason 1.2 milion euro nga kjo tarifë, kurse brenda vitit kjo shumë shkon në 14 milionë e 400 mijë euro.

Kompanitë turke “Limak & Çalik” kishin privatizuar rrjetin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike për 26.3 milionë euro.

Edhe zëdhënësja e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arjeta Mjeku ka konfirmuar se aplikojnë tarifa fikse.  Ajo tregon se tarifat fikse dallojnë në ato për amvisëri dhe konsumatorë komercial. “Ne si ujësjellës i furnizojmë me ujë të pijshëm konsumatorët e gjithsej 8 komunave të Republikës së Kosovës. Kompania shpërndan 106,490 fatura apo konsumatorë”, thotë ajo.

Mjeku thotë se tarifat fikse janë të miratuara edhe nga Zyra e Rregullatorit për Ujësjellës e Kanalizim (ZRRUK). “Tarifa fikse për konsumatorët shtëpiakë është 1.16 euro me TVSH, ndërkaq për konsumatorët institucionalë/komercialë tarifa fikse  është 3.48 euro me TVSH. 12,000 janë institucionalë/komercialë, dhe pjesa tjetër, që i bie rreth 94,.490, janë shtëpiakë – amvisëri”, ka thënë Mjeku.

Brenda një muaji nga tarifa fikse KUR “Prishtina” inkason mbi 109 mijë euro, kurse në vit kjo shumë shkon në mbi 1.3 milion euro. Ndërkaq, nga tarifa për 12 mijë konsumatorët komercialë inkason brenda muajit 41,760 euro, kurse brenda vitit kjo shumë shkon në mbi 500 mijë euro. Nga tarifa fikse për të dyja kategoritë e konsumatorëve KUR “Prishtina”, inkason mbi 1.8 milion euro.

Drejtuesi i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka thënë se tarifat fikse janë një ngarkesë e tepërt për konsumatorët. Sipas tij, këto tarifa janë të caktuara në mënyrë të padrejtë dhe të sponsorizuara për autoritete të caktuara. “Secila prej këtyre tarifave janë imponuar për konsumatorin me sponsorizimin e Autoritetit Rregullator të fushave të caktuara, pa u konsultuar fare me konsumatorin, edhe pse e kanë obligimin ligjor. Kështu po dëshmohet ndikimi dhe ndikueshmëria e lehtë e Qeverisë së Kosovës mbi këto autoritete”, thekson Kaçaniku.

Këto tarifa, sipas tij, vështirësojnë edhe më shumë jetën e konsumatorit.  “Natyrisht se tarifat e tilla, të ndikuara, të imponuara, të detyruara, janë joligjore dhe joobliguese për konsumatorin”, tha Kaçaniku.

Edhe Zyrtarët e Postë Telekomit të Kosovës (PTK) kanë treguar se Telekomi i Kosovës aplikon tarifa fikse.

“Telekomi i Kosovës aplikon tarifën më të ulët prej 3.99 euro. Kjo tarifë aplikohet për konsumatorët që kërkojnë të ruajnë identitetin me Telekomin, domethënë të mbajnë numrin e telefonit fiks”, është thënë në përgjigjet e Departamentit për Relacione me Publikun në PTK.

Sipas zyrtarëve të PTK-së, në kuadër të kësaj tarife, konsumatori e mban numrin të aktivizuar  dhe në të mund të pranojë thirrje. Por, ata nuk kanë treguar se sa është ky numër i konsumatorëve me arsyetimin se është i ndryshueshëm.

Profesori i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Avdullah Hoti e ka quajtur tarifën fikse si plaçkitje që u bëhet konsumatorëve. “Kjo është plaçkë nga shfrytëzimi i fuqisë monopoliste”, thekson Hoti.

Një zgjidhje mund të jetë, sipas tij,  edhe futja  e konkurrencës në distribucion. “Në distribucion duhet futur konkurrenca, ashtu siç parashihet me ligje të bëhet nga data 1 janar 2015, por jemi shumë larg që kjo të bëhet. Ne kemi probleme shumë më të mprehta, vetëm për disa muaj u rrit çmimi i energjisë për dy herë, dhe kjo pa procedurë për shqyrtim të tarifave”, ka theksuar Hoti. (Ekonomia)