Tanja Fajon emërohet raportuese për liberalizim të vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian ka emëruar euro-deputeten sllovene Tanja Fajon raportuese për vizat për Kosovën.

Lajme

23/05/2016 14:45

Fajon, edhe më parë ka qenë raportuese për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo do të përgatisë raportin i cili së pari duhet të diskutohet dhe votohet në Komisionin Parlamentar e pastaj edhe në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

Edhe pse Kosova ka mbështetje të fuqishme në mesin e deputetëve të Parlamentit Evropian, procedura kërkon kohë dhe nuk është lehtë të parashihet se sa do të zgjasë ajo.

Komisioni Evropian tashmë ka dhënë rekomandimin formal për heqjen e vizave për Kosovën, me gjithë faktin se ka përmendur edhe dy kushte që duhet përmbushur.

Vendimin duhet ta marrë pos Këshillit të Bashkimit Evropian, ku vendosin ministrat e brendshëm të vendeve anëtare me shumicë të kualifikuar, edhe Parlamenti Evropian.