“Talia e Flakës” nis me premierën e shfaqjes “Një natë në hotel” – Lajmi.net
“Talia e Flakës” nis me premierën e shfaqjes “Një natë në hotel”
Autori: Lajmi.net Kulturë/ArteLajmeNacionale 9:40, 23 January 2018
Është ngritur perdja në Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës”,  e cila po mbahet në kuadër të “Flakës së Janarit 2018”.
Shpresa Kurteshi – Emini, kryesuese e Asamblesë Komunale të Gjilanit e ka shpallë të hapur Festivalin, duke thënë se ky festival kaherë ka dalë nga niveli lokal dhe tashti është me vlera kombëtare dhe “Talia e Flakës” është shndërruar në një shtyllë që ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm.
 “Merrni porosi të mëdha e kënaquni me artin dramatik”, ka thënë Shpresa Kurteshi – Emini.
 Që në mbrëmjen e parë është dhënë një premierë, Teatri i Gjilanit është paraqitur me shfaqjen “Një natë në hotel” me tekst të Muharrem Shahiqit, i rishkruar nga Agush Mulliqi dhe me regji të Bashkim Ramadanit.
Në këtë shfaqje janë paraqitur aktorët Ernest Zymberi, Gani Rrahmani, Safete Mustafa – Baftiu, Alban Shahiqi, Njomëza Kalaveshi, Avni Shkodra, Ramadan Kurti, Naser Zymberi dhe Tringa Hasani. Skenografia: Burim Arifi dhe Blendina Xhema, kostumografia: Valdete Mustafa, muzika: Florim Gagica dhe dritat: Fatmir Halili.
Ishte kjo një komedi, e cila ndonëse e shkruar më herët, tashti është rishkruar dhe i është përshtatur aktualitetit të tashëm.
Nëpërmjet lojës së aktorëve dalin në pah korrupsioni i pushtetarëve, i politikanëve e policisë, deformimet në shoqëri e të meta të tjera.
Ngjarja zhvillohet brenda një nate në një hotel, i privatizuar me ndikim të korrupsionit, kurse të gjitha të metat dalin në pah pas një keqkuptimi në mes të njërit nga pronarët dhe një aplikanteje  që kërkon të punësohet, ku përmes shantazhit ajo ia zë vendin e punës recepsionistit.
Në një lëmsh të vërtetë korrupsioni, ku përfshihen edhe mysafirët e hotelit, arrihet një marrëveshje ku të gjithë pranojnë të korruptohen.
Si rëndom edhe kësaj radhe u mbajt debati pas shfaqjes, në të cilin Mio Gjoni nga Shqipëria, tha se publiku pa një komedi gazmore e karakterit të farsës.
Ai tha se shfaqja është sjellë në kohë dhe ka prekur problemin e korruopsionit, moralit e të keqkuptimit. Ai ka thënë fjalë miradie për trupën, por ka shtuar se do të dëshironte figura më të harmonizuara në këtë shfaqje.
Se aktorët kanë shkëlqyer thanë edhe Fetah Paqarizi dhe Qëndrim Kqiku, njëri drejtor e tjetri aktorë, kurse Ylber Nuredini, aktor, ka kërkuar më shumë përkushtim për teatrin, ka pëlqyer lojën e aktorëve, por ka patur vërejtje tek artikulimi.
Regjisori Bashkim Ramadani, që është përballë me pyetje të shikuesëve, tha se kanë patur vështirësi gjatë realizimit të shfaqjes dhe se rezultati i punës u pa në skenë, kurse Josif Papagjoni, kritik nga Shqipëria, që në fillim tha se kjo nuk është shfaqja nga më të mirat që ka dhënë trupa teatrore e Gjilanit, por është një shfaqje që e do dhe e pëlqen publiku.
Ai tha se teksti është i vjetër, por i rikuptimizuar dhe ai është sjellë në kohë, ngacmon e pickon shoqërinë, shfaq korrupsionin te politika, shoqëria e policia.
“Shfaqja ka ritëm të shpejtë, por në të nuk bënë të nxitohet, kurse aktorët janë të unifikuar e regjisori bëri punë të madhe”, ka thënë Papagjoni.
Në natën e dytë do të jepet shfaqja “Kosovatrans” e Teatrit “Agush Ramadani” të Podujevës, me tekst e regji të Naser Shatrollit./Lajmi.net/

Fotolajm

“Kulturë boksi” përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /FOTO
Foto, aparati për matjen e fuqisë së goditjes përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /lajmi.net ?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Bubble Trouble
  • Play Urban Basketball
  • Play Pro Kicker Frenzy
  • Play 8 Ball Pool