Talentët shqiptarë që bënë të njihet emri i Kosovës në botë, vazhdojnë ‘misionin’ e nisur

Kosova është vend me vetëm 10 vjet shtet, por që krahas ngecjeve në shumë fusha, ka disa që po ndikojnë në ngritjen e imazhit të vendit.

ShowBiz

07/08/2018 12:02

Thelbësore është muzika, përmes së cilës shumë artistë nga Kosova kanë depërtuar në tregun e huaj duke ‘pushtuar’ çdo top-listë, shkruan lajmi.net.

Ani pse jetojnë larg vendlindjes dhe se karrierën e kanë zhvilluar jashtë, këngëtarët nga Kosova me famë botërore, me krenari tregojnë prejardhjen e tyre.

Një prej tyre është Dua Lipa, e cila pritet që të mbajë koncert madhështor në Gërmi, të premtën më 10 gusht.

 

Krahas gjithë sukseseve të saj, ky koncert ka marrë edhe vëmendjen e medieve botërore, të cilat kanë filluar tash e sa ditë t’i kushtojnë artikuj Duas dhe koncertit në Prishtinë, që e kthen këngëtaren në skenën e Kosovës pas dy vitesh që prej performancës së fundit.

Natyrisht që në këtë rast përmenden edhe yjet e tjerë që po bëjnë të njëjtën gjë sikurse Dua, siç është rasti me Rita Orën dhe Era Istrefin.

Rita ishte e pranishme në Prishtinë me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, bashkë me të kishin udhëtuar edhe reporterët e mediumeve më prestigjioze në botë. Koncerti u mbulua me përkushtim, ndërsa këngëtarja i tregoi edhe një herë botës se Kosova është pjesë e saj.

Së fundi, Era Istrefi ka arritur në pikën më të lartë në karrierën e saj, ajo arriti të performojë këngën zyrtare të Kampionatit Botëror “Russia 2018”, bashkë me Will Smith dhe Nicky Jam.

Ani pse në Rusi, në vendin që nuk e njeh shtetin e Kosovës, Era arriti të depërtojë në mënyrën më të mirë dhe t’i tregojë botës që politika nuk mund ta ndalë depërtimin e talentëve në shkallët më të larta të suksesit, shkruan lajmi.net.

Po në të njëjtin vend, krenarë na bënë edhe dy shqiptarë të tjerë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.

Dy futbollistët janë paraqitur në Botëror me fanellat e kombëtares së Zvicrës, në ndeshjen kundër Serbisë të dy shënuan gola që siguruan fitoren e kombëtares.

Golat e tyre bënë jehonë në gjithë botën, por një tjetër element kishte marrë vëmendjen e medieve më prestigjioze në botë.

Bëhet fjalë për simbolin e shqiponjës me të cilin festuan dy lojtarët, i cili përveç asaj që tregoi se si bijtë e Kosovës tregojnë prejardhjen e tyre, u shikua edhe nga dimensioni politik. Kjo e fundit nga shteti serb, i cili e ka parë si fyes veprimin e Xhakës dhe Shaqirit.

Emrat e lartpërmendur nuk janë të vetmit që kanë treguar sukses në arenën ndërkombëtare, raste të ngjashme kemi çdo ditë, e që është një plus i madh për vendin.

Kosova, si një vend që ende njihet si i dalë nga konflikti shumëvjeçar nga pushtuesi serb, përballet ende me shumë probleme, të cilat nuk lënë pa i përmendur edhe mediet e huaja në çdo rast kur përmendet emri i shtetit.

Megjithatë, Dua, Era, Rita, Xhaka e Shaqiri, janë ata që ndihmojnë në largimin e vëmendjes nga çështjet politike dhe njëkohësisht përmirësimin e imazhit të vendit.

Misioni i tyre është t’i tregojnë të gjithëve se Kosova nuk është vend i shkatërruar nga pushtuesi dhe i mbetur i tillë tash e sa vite edhe pas pavarësisë, por me një popullsi prej afro 2 milionë banorë mund të tregojë më shumë seç mendohet.

Prestigjiozja “The Guardian” ka publikuar të dielën (5 gusht) një artikull që ia kushtonte Dua Lipës dhe talentëve të tjerë nga Kosova.

Artikulli kishte në fokus performancën e Duas që do të mbahet në kuadër të festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë

Lexo edhe: http://lajmi.net/the-guardian-shkruan-per-koncertin-e-dua-lipes-ne-prishtine-imazhi-i-vendit-po-ndryshon/

Kjo tregon se koncertet që këngëtarët që tashmë kanë arritur famë ndërkombëtare po mbajnë në Kosovë po ndikojnë shumë pozitivisht në ndryshimin e perceptimit të botës ndaj nesh dhe njëkohësisht e konfirmon atë se ‘shqipet’ po vazhdojnë ‘misionin’ e nisur.

D.A