Taksa e Qeverisë i shkakton 50 milionë euro humbje Serbisë

Taksa e vënë nga Qeveria e Kosovës për produktet me prejardhje nga Bosnja dhe Serbia, ka vënë në alarm këta të fundit.

Lajme

01/12/2018 19:45

Frika më e madhe e zyrtarëve të Beogradit, janë humbjet që mund t’i shkaktohen shtetit të Serbisë, transmeton lajmi.net.

Madje, këto humbje mund ta kapin shifrën prej 50 milionë eurosh vetëm përgjatë dy muajve, Nëntor dhe Dhjetor.

Kështu ka thënë sot ministri serb i Tregtisë, Rasim Ljajiq, sipas të cilit kjo masë është “de fakto”,  ndalim i eksportit të mallrave serbe në Kosovë.

“Çdo ditë, biznismenë të ndryshëm paraqiten në ministrinë e Tregtisë dhe ankohen për këtë. Madje është e paqartë ngase mallrat atje nuk mund të arrijnë sepse Kosova kërkon që dokumentacioni t’i referohet si shtet”, ka thënë ai.

Ai tutje ka kërkuar presion të vazhdueshëm nga ndërkombëtarët që Prishtina të tërhiqet nga ky vendim.

E pikërisht Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që të tërhiqet nga vendimi për taksë.

Ndërkohë, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se vendimi nuk do të tërhiqet deri në njohjen nga Serbia. /Lajmi.net/