Takohen sërish, më 7 tetor

Ashton ka konfirmuar aranzhimin e takimit mes Kryeministrave Thaçi dhe Dacic, i cili vjen një ditë pasi Dacic ka kërcënuar me ndërprerjen e bisedimeve për shkak të ndalesës që ai të hyjë në territorin e Kosovës gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.

Lajme

03/10/2013 11:55

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Ivica Dacic do të takohen përsëri në Bruksel më 7 tetor për të diskutuar rreth implementimit të marrëveshjes së 19 prillit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve si dhe për zgjedhjet lokale në Kosovë.

Zyra e Përfaqësues së Lartë të Bashkimit Europian, Catherine Ashton, ka konfirmuar aranzhimin e këtij takimi i cili vjen një ditë pasi Dacic ka kërcënuar me ndërprerjen e bisedimeve për shkak të ndalesës që ai të hyjë në territorin e Kosovës gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.

“Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton do ta takojë Kryeministrin Dacic dhe Kryeministrin Thaçi të hënën, më 7 tetor, në Bruksel në kontekst të dialogut të lehtësuar nga BE. Qëllimi i këtij takimi është shqyrtimi i progresit në implementimin (e marrëveshjes) në veçanti në organizimin e zgjedhjeve lokale të 3 tetorit në Kosovë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga kabineti i Baroneshës Ashton.