Takimi për Tranzicion në Prishtinë

Isa Mustafa ka pritur në takim pasuesin e tij në krye të Prishtinës, Shpend Ahmetin. Ata kanë diskutuar për kalimin e pushtetit nga LDK tek Vetëvendosje. VV ka përcaktuar emrat e parë të kabinetit të ri, Dardan Sejdiun, Xhelal Sfeçlën, e Liburn Aliun.

Lajme

20/12/2013 08:40

Shpend Ahmeti, të hënën, është ulur për herë të parë në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, prej se është zgjedhur në këtë pozitë nga qytetarët në votimet e 1 Dhjetorit.

Kjo ngjitje shkallësh po shënon fillimin e ngritjes në karrierë dhe në pushtet të Shpend Ahmetit.

Ai të hënën u prit në zyrën e tij, nga Kryetari në largim, Isa Mustafa, me të cilin ka diskutuar për tranzicionin e pushtetit në Prishtinë.

Ahmeti në këtë takim është shoqëruar nga Asamblisti i Vetëvendosjes, Ylli Hoxha, ndërsa në takim ka qenë prezent edhe Kryesuesi në detyrë i Asamblesë Komunale, Sami Hamiti nga LDK.

Ahmeti dhe Mustafa, siç mëson lajmi.net, në këtë takim kanë diskutuar për seancën inauguruese të Kryetarit të ri, e cila do të mbahet më 26 Dhjetor.

Po ashtu, kanë folur për procedurat e kalimit të pushtetit nga LDK, e cila ka qeverisur që nga paslufta në Kryeqytet, tek Vetëvendosje.

Lajmi.net mëson se Vetëvendosje tashmë ka përcaktuar edhe emrat e parë të drejtorëve të rinj komunalë.

Dardan Sejdiu pritet të jetë Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, ndërsa Xhelal Sfeçla Drejtor i Inspeksionit, e Liburin Aliu Drejtor i Urbanizimit.

Sejdiu dhe Sfeçla edhe zyrtarisht kanë hequr dorë nga pozita e Asamblistit në Asamblenë Komunale, për shkak të detyrave të reja që pritet t’i kenë në udhëheqjen e Prishtinës.

Drejtoria e Inspeksionit dhe ajo e Urbanizmit janë dy drejtoritë kryesore, më të rëndësishme e më sfiduese në qeverisjen e Kryeqytetit.

Ndërkohë Kryetari i zgjedhur Shpend Ahmeti ka ftuar në takim bartësit të listës së secilit subjekt të përfaqësuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Në takim janë ftuar Isa Mustafa nga LDK, Lirak Çelaj nga PDK, Besnik Tahirit nga AAK, Korab Sejdiut nga AKR, Visar Arifajt nga PF, Fehti Mediu nga Partia e Drejtësia dhe Cuneid Ustaibo nga KDTP.

“Po ju shkruaj në kapacitetin tuaj si bartës i Listës së subjektit politik që përfaqësoni, në zgjedhjet e fundit lokale në Komunën e Prishtinës”, me këto fjalë e ka nisur letrën e tij Ahmeti.

“Pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dhe në koordinim me Komunën e Ministrinë e Pushtetit Lokal ne kemi thirrur mbledhjen inauguruese të Kuvendit Komunal për datën 26 dhjetor”.

“Jemi të interesuar që në frymën e demokracisë dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të Komunës tonë të bashkëpunojmë me subjektet politike dhe anëtarët e Kuvendit komunal të përfaqësuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës”.

“Në këtë drejtim po ju shkruaj për të kërkuar takim me ju, ose me përfaqësues të tjerë të subjektit tuaj në Kuvendin Komunal që ju na i referoni, për të diskutuar mbarëvajtjen e punës dhe komunikimit të mëtutjeshëm me Kuvendin dhe në Kuvendin Komunal të Prishtinës”.

“Unë do të jem i shoqëruar me Z. Ylli Hoxha, i cili do të udhëheqë grupin e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje! në Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe një përfaqësues tjetër nga qeverisja e ardhshme  e Prishtinës”.

“Ju lutem që këtë takim ta caktojmë sa më parë. Ju falënderoj për mirëkuptim, Sinqerisht, Shpend Ahmeti”, përfundon letra e Kryetari të ri të Prishtinës.