Takimi i liderëve maqedonas, përfundon pa zgjidhje konkrete

Pasditen e sotme u mbajt takimi tjetër ndërmjet liderëve të partive më të mëdha politike në Maqedoni, me qëllim të zgjidhjes së krizës aktuale në vend, raporton Anadolu Agency, transmeton lajmi.net

Lajme

19/06/2015 17:42

Të katër liderët e partive politike që kanë marrë pjesë në këtë mbledhje janë larguar pa dhënë ndonjë deklaratë për shtyp, ndërsa në një njoftim të përbashkët thuhet se janë pajtuar të riafirmojnë zotimin ndaj marrëveshjes së 2 qershorit dhe të vazhdojnë bisedimet për implementimin e plotë të saj në nivel liderësh më 29 qershor.

“Ne, liderët e partive kryesore politike sot u pajtuam ta riafirmojmë zotimin tonë ndaj Marrëveshjes së 2 qershorit, si dhe të vazhdojmë me bisedimet për implementimin e plotë të saj në nivel liderësh më 29 qershor” thuhet në deklaratën e përbashkët.

Në vijim theksohet se, liderët përkrahin menaxhimin transparent nga ana e BE-së me tekstin e kësaj Marrëveshje, si dhe me të gjitha rekomandimet specifike në lidhje me reformat sistemore në fushën e sundimit të së drejtës, që do të implementohen në interes të gjithë qytetarëve.

Në këtë takim morën pjesë Kryeministri, Nikolla Gruevksi, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, lideri i PDSH-së Menduh Thaçi dhe ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav bashkë me ambasadorin e SHBA-ve, Jess Bailey.

Liderët e partive politike më 10 qershor në Bruksel me ndërmjetësim të përfaqësuesve evropian nuk arritën të gjejnë zgjidhje për dalje nga situata politike aktuale në të cilën gjendet vendi. Paraprakisht, më 2 qershor në Shkup u mbajt takim, që kishte për qëllim arritjen e një marrëveshje mes liderëve, pas të cilit eurokomisioneri Johannes Hahn deklaroi se në fund të muajit prill të vitit të ardhshëm duhet të mbahen zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, të bëhen ndryshime në kodin zgjedhor dhe në listën zgjedhore.