Takimi i CEFTA-s në Prishtinën mbetet nën hijen e tarifës doganore

Serbia dhe Bosnja, për shkak të taksës doganore nuk kanë marrë pjesë në konferencën “Java e CEFTA-s” dhe në këtë mënyrë mungesa e tyre e pamundëson marrjen e ndonjë vendimi nga komisioni i përbashkët i CEFTA-s.

Lajme

04/12/2018 14:51

Taksa doganore prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës u ka vënë prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, është kundër parimeve të Marrëveshjes për Tregti të Lirë CEFTA, thonë zyrtarët e Komisionit Evropian.

Këto komente, zyrtarët evropianë i bënë në Prishtinë në konferencën “Java e CEFTA-s”, të cilën autoritetet vendore po e organizojnë në përmbyllje të kryesimit të kësaj marrëveshje nga ana e Kosovës.

Për shkak të tarifës që u është vendosur importeve nga Serbia dhe Bosnja, delegacionet nga këto dy shtete nuk kanë marrë pjesë në këtë konferencë.

Mungesa e përfaqësuesve të këtyre dy shteteve u tha se e pamundëson marrjen e ndonjë vendimi nga komisioni i përbashkët i CEFTA-s.

David Cullen nga Komisioni Evropian theksoi se taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina e ka vënë nën hije javën e CEFTA-s.

Sipas tij, deri para kësaj mase, kryesimi i Kosovës në CEFTA ka qenë i suksesshëm.

“Masat e fundit që janë vënë nga Kosova janë kundër rregullave dhe parimeve të CEFTA-s. Komisionari Johannes Hahn është takuar me lidershipin në Kosovë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ai ka ofruar zgjidhje për të tejkaluar këtë mosmarrëveshje dhe për të adresuar çështje tjera të tregtisë”.

“Po ashtu, vetë CEFTA është e përkushtuar të përgatisë një raport për të gjitha ankesat tregtare dhe unë inkurajojë të gjitha palët e CEFTA-s të marrinë pjesë në këtë punë”, theksoi Cullen.

Ai tha po ashtu se mosmarrëveshjet tregtare ndodhin dhe se ka barriera që Kosova po ballafaqohet me to, por siç thotë ai, “duhet të adresohen në forume adekuate që përfshijnë edhe kornizën e CEFTA-s”.

“Mosmarrëveshja e fundit thekson nevojën që CEFTA të vë në funksion masa që do të sigurojnë një zgjidhje adekuate të mosmarrëveshjeve tregtar masa që do të mbrojnë palët e CEFTA-s dhe masa që do të adresojnë barrierat jotarifore në mënyrë sistematike dhe në tërë rajonin”, theksoi Cullen, shkruan rel.

Heqjen e tarifës prej 100 për qind ndaj importeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina e ka kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

SHBA ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të heqin taksën dhe të punojnë me Serbinë për të shmangur provokimet dhe zbutur tensionet.

Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi. Sipas Prishtinës zyrtare, autoritetet e Serbisë në vazhdimësi kanë shkelur Marrëveshjen për Tregti të Lirë, të njohur si CEFTA.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala theksoi se janë disa çështje në CEFTA që shërbyesit publikë nuk mund t`i zgjedhin.

“Për shembull, importet ose eksportet tona të cilat kalojnë përmes fqinjit tonë i cili nuk e njeh vendin tonë, ndalen dhe atyre u kërkohet të dorëzojnë certifikatat nacionale të eksportit ose importit të atij vendi. Kjo për shkak se ata e konsiderojnë vendin tonë si pjesë të tregut të tyre të brendshëm. Apo fakti që ai vend nuk i njeh tabelat e veturave apo nuk i pranon certifikatat e eksportit të vendit tonë, për shkak se ato dokumente mbajnë emrin tonë kushtetues dhe flamurin. A mund këto probleme të zgjidhen nga shërbyesit publikë? Jo. A po shkelin këto probleme marrëveshjen? Po”, theksoi Shala.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka theksuar se Kosova që nga viti 2007 është përballuar me barriera tregtare që i janë vendosur nga vendet fqinje e në veçanti nga Serbia.

“Është viti 2018 dhe ne ende kemi çështje të cilat i kemi ngritur në vitin 2007 dhe asnjë mekanizëm rajonalë dhe evropianë nuk i ka zgjedhur dhe kjo ka shtyrë bizneset që të jenë shumë kundër përfshirjes tonë në CEFTA ose edhe me kërkesa radikale për dalje nga CEFTA. Gjashtëdhjetë për qind e bizneseve nga Kosova nuk kanë pasur përfituar nga CEFTA”, u shpreh Rukiqi.

Ai thekson se arsyeja pse bizneset nga Kosova nuk janë konkurruese në CEFTA nuk është çështja e çmimit, kualitetit apo standardit, por për shkaka të barrierave që iu bëhen produkteve nga Kosova.

Shërbimet fondamentale që një kompani të jetë konkurruese si energjia, transporti, infrastruktura, shton Rukiqi, kanë qenë të bllokuara.

“Si pasojë e moszbatimit të Marrëveshjes për energji, ne nuk kemi furnizim të rregullt me energji elektrike, si pasojë e pamundësisë së shfrytëzimit të transitit, kostoja e transportit rritet, si pasojë e pamundësisë të lëvizim lirshëm rritet kostoja e transportit. Ne nuk mund të shfrytëzojmë vozitësit tonë ose kompanitë tona të transportit, por duhet të kontraktojmë në rajon që janë dyfish më të shtrenjtë”, theksoi Rukiqi.

Përgjatë viteve 2006 – 2018, shtoi Rukiqi, CEFTA nuk e ka mekanizimin për zgjidhjen e kontesteve.

CEFTA është një marrëveshje ndërkombëtare e krijuar nga ana e Bashkimit Evropian me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kosova u anëtarësua në vitin 2007. Për shkak se në atë periudhë Kosova nuk e kishte të zgjidhur statusin, marrëveshja ishte nënshkruar nga shefi i atëhershëm i UNMK-ut, Joachim Ruecker. Në atë kohë ishte përdoruar akronimi UNMIK-Kosovë.