Takimet e Presidentes

Presidentja Atifete Jahjaga deklaroi gjatë takimeve që zhvilloi në Forumin e 9’të Botëror Ekonomik Islamik se Kosova është shembull i fqinjësisë së mirë në rajon dhe promotor i paqes dhe stabilitetit.

Lajme

30/10/2013 16:10

Presidentja Atifete Jahjaga zhvilloi sot një takim me Drejtorin e Forumit Botëror Ekonomik Islamik, Tun Musa Hitam.

Jahjaga tha se pjesëmarrja e Kosovës në Forumin Botëror Ekonomik Islamik është një mundësi për të shkëmbyer përvojat me të gjitha vendet pjesëmarrëse dhe për të vendosur marrëdhënie të drejtpërdrejta në interes të përbashkët, të zhvillimit ekonomik dhe të investimeve.

Drejtori i Forumit të 9’të Botëror Ekonomik Islamik e falënderoi Presidenten për pjesëmarrjen e saj në punimet e Forumit dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin në interes të përbashkët.

Jahjaga mori gjithashtu në darkën e organizuar në hapje të Forumit të 9’të Botëror Ekonomik Islamik. Në darkë, përveç përfaqësuesve të lartë të shteteve pjesëmarrëse, në mesin e të cilëve edhe presidenti i Afganistanit dhe ai i Bosnjë Hercegovinës, si dhe Kryeministri i Malajzisë, mori pjesë edhe Princi Charles i Wales në Mbretërinë e Bashkuar.

Jahjaga ka zhvilluar takim edhe me Premierin e Bermudeve,  Craig Cannonier, me të cilin ka diskutuar për çështjen e vendosjes së bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e zhvillimit ekonomik.

Më herët, ndërkaq, gjatë pritjes për mysafirët e Forumit Botëror Ekonomik Islamik, Presidentja Jahjaga takoi edhe kryeministrin e Marokos, Abdelilah Benkirane, me të cilin ka diskutuar për çështjen e njohjes së Kosovës.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është një rast i veçantë dhe që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 është njohur nga më shumë se 100 vende të botës, anëtarë të OKB’së.

Ajo tha se Kosova është shembull i fqinjësisë së mirë në rajon dhe promotor i paqes dhe stabilitetit.

Kryeministri i Marokos, Abdelilah Benkirane u interesua për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për kapacitetet zhvillimore të saj dhe theksoi se është në dijeni të çështjes së njohjes së pavarësisë së saj.

Presidentja Jahjaga ka takuar edhe Kryeministrin e Malajzisë, Dato Sri Najib bin Mahid Abdual Tun Razak, të cilin e falënderoi për ftesën për të marrë pjesë në Forumin Botëror Ekonomik Islamik, si dhe për angazhimin e tij për ta ndihmuar Kosovën në të gjitha fushat.