Takime me bizneset gjermane

Një delegacion gjerman i biznesit takoi Presidenten Atifete Jahjaga dhe ministrat Vlora Çitaku e Enver Hoxhaj.

Lajme

09/10/2013 14:44

Kosova dhe Gjermania duhet ta thellojnë bashkëpunimin ekonomik, ka thënë sot Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në një takim me një delegacion të Odës Ekonomike Gjermane për Evropën Juglindore, i kryesuar nga drejtori ekzekutiv Rainer Lindner.

Bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmërinë për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të dy vendeve.

Presidentja Jahjaga tha se Gjermania është njëri ndër partnerët më të rëndësishëm strategjik në Kosovë. Ajo theksoi rëndësinë e fuqizimit të marrëdhënieve ekonomike në mes të dy vendeve.

Ajo  deklaroi se Kosova është e përkushtuar për t’i kryer të gjitha reformat dhe për të pasur një luftë efikase kundër korrupsionit, si dhe për krijimin e të gjitha kushteve të nevojshme për ardhjen e investitorëve të huaj dhe për investimin e kapitalit”.

Ndërsa Lindner tha se kjo vizitë është sinjal i fuqishëm për bashkëpunimin e theksuar ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Ai tha se biznesi gjerman duke qenë aktiv në Kosovë do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik dhe të përgjithshëm të Kosovës.

Rainer Lindner u prit sot edhe nga Ministrja e Integrimeve Europiane Vlora Çitaku, ku temë diskutimi ishte zhvillimi ekonomik dhe përgatitjet e vendit për fillimin e negociatave për MSA`në.

Ministrja Çitaku tha se fillimi i negociatave e gjen Kosovën të përgatitur dhe se Kosova plotësuar kriteret dhe rekomandimet për liberalizimin e vizave.

“MSA për Kosovën është e një rëndësie të veçantë si mjet i ankorimit të rrugës europiane të Kosovës, por mbi të gjitha i kontribuon Kosovës drejt realizimit të një reforme të qëndrueshme mbarë shtetërore”.

“Kosova do të prodhojë argumente të mjaftueshme përmes të cilave Gjermanisë do t’i bëhet më e lehtë përpjekja e saj për të bindur këdo që ka nevojë se Kosova e meriton të jetë anëtare e familjes europiane”, ka thënë Çitaku.

Delegacioni gjerman është pritur edhe në Ministrinë e jashtme nga ministri Enver Hoxhaj i cili ka kërkuar fuqizimin e mëtutjeshëm të investimeve gjermane në Kosovë.

“Republika e Kosovës ka ambient shumë të përshtatshëm dhe potencial të madh për investime në energji, prodhim, e fusha të tjera të industrisë”, tha Ministri Hoxhaj.