Takim në Bruksel

Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic do të takohen të mërkurën në Bruksel. Në raundin e ri të bisedimeve, me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton, pritet të diskutohet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 3 nëntorit.

Lajme

04/11/2013 18:23

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Ivica Dacic do të takohen të mërkurën në Bruksel, në një takim të thirrur dhe të ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.

Ky do të jetë takimi i parë ndërmjet tyre pas zgjedhjeve lokale të cilat u mbajtën në Kosovë këtë të diel.

Takimi është konfirmuar nga ZëvendësMinistri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi.

“Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Serbisë Ivica Dacic do ta kenë një raund tjetër dialogu këtë javë në Bruksel, të lehtësuar nga Baronesha Ashton”, ka shkruar Selimi në Twitter.

Takimi ishte paraparë pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë, por nuk ishte thënë që ai do të mbahej në këtë shpejtësi kohore.

Siç bëhet e ditur, në takimin e së mërkurës, do të diskutohet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, përfshirë edhe  telashet e Veriut në zgjedhje,marrë parasysh se do të ekzistojë edhe raundi i dytë i votimeve.