Tahiri uron Ditën e Kushtetutës

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka uruar dekadën e parë të Kushtetutës.

Lajme

09/04/2018 14:46

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës sot përmbushë një dekadë të tërë prej se është miratuar duke përcaktuar kështu të ardhmen demokratike dhe prosperuese të shoqërisë tonë. Sot para një dekade, kjo Kushtetutë, materializoi shtetin sovran të Kosovës, vendosi bazat për paqen e qëndrueshme në mes të komuniteteve të saj dhe përcaktoi parimet më të larta të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut” ka shkruar Tahiri.

Për më tepër, Tahiri ka thënë se Kushtetuta  përfaqëson vetë identitetin e popullit të Kosovës, që nga trajektorja historike e luftës, tek e ardhmja e Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian dhe në NATO.

“Kushtetuta e Kosovës nuk përfaqëson vetëm aktin juridik që përcakton rendin politik, ekonomik e social, por edhe vetë identitetin e popullit tonë që nga trajektorja historike e luftës për pavarësi e deri te e ardhmja e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj dhe tek e ardhmja e Republikës së Kosovës, si shtet paqedashës, i integruar në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe i përcaktuar për zhvillim demokratik e ligjor që garanton të drejtën dhe barazinë për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim. Urime Dita e Kushtetutës!” ka përfunduar Tahiri.