Tahiri tregon arsyet pse kishte në plan të jepte dorëheqje nga posti i ministrit

Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë ka folur për herë të parë rreth tentim dorëheqjes së tij nga posti i cili mban tash e 13 muaj.

Lajme

13/10/2018 21:47

Në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, Tahiri ka thënë se ai kishte ofruar dorëheqjen e tij për shkak të pakënaqësive të tij që kanë ndodhur gjatë zhvillimeve të fundit në sistemin e drejtësisë të Kosovës.

Tahiri ka thënë se dorëheqjen e tij e ka parë si reflektim për drejtësinë në Kosovë.

“Kam menduar që është një momenti i mirë që duhet të reflektojmë në të gjitha këto zhvillime edhe unë të jap dorëheqje nga posti i ministri të drejtësisë mbase postin tim e shohë si një objektiv për t’i realizuar objektivat e mija të cilat shkojnë në favor të qytetarëve”, ka thënë Tahiri.

Po ashtu ai ka thënë se “e kam ofruar dorëheqjen time pavarësisht që kam qenë person i involvuar direkt apo përgjegjës për shumë se mirëpo nganjëherë njeriu duhet të ndjehet përgjegjës për shumë sene dhe moralisht për shumë çështje që nuk shkojnë mirë dhe këto shqetësime unë i kam shprehur dhe e kam falënderuar jashtë zakonisht shumë kryeministrin për mbështetje, kryetarin e partisë time, Kadri Veselin për mbështetje gjatë tan kësaj periudhe. E kam menduar si një akt që duhet ta bëjë për shkak të shumë zhvillimeve të cilat mund të dëmtonin edhe procesin e liberalizimit të vizave”.

Disa javë më parë është raportuar në media se Abelard Tahiri ka ofruar dorëheqje nga posti i ministrit për shkak se ka vizituar liqenin e Ujmanit me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.