Tahiri sot në Bruksel për të përgatitur takimin Mustafa-Vuçiq

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, do të takohet sot në Bruksel me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE) për përgatitjet rreth takimit të radhës në mes të kryeministri të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lajme

26/01/2015 11:51

Ajo ka bërë me dije për “Epokën e re” se qëllimi i vizitës së saj është edhe vlerësimi dypalësh i gjendjes në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit. “Në takimin e radhës të kryeministrave të të dyja shteteve në Bruksel do të diskutohet për disa aspekte. Së pari, do të bëhet vlerësimi i gjendjes në zbatimin e marrëveshjeve të deritashme. Më pas do të jenë temat e drejtësisë dhe të shuarjes së strukturës së ashtuquajtur ‘Mbrojtje Civile’”, ka thënë Tahiri.

Sipas saj, pajtimi për këto tema mes dy shteteve është arritur edhe më herët, por ka munguar zbatimi i marrëveshjeve për këto fusha. “Për këto tema është diskutuar edhe më herët, është arritur dakordimi për planin për zbatim, por zbatimi nuk ka filluar. Po ashtu, në këtë takim do të diskutohet rreth planit për zbatim të asociacionit të komunave serbe, heqjen e barrikadave nga ura e Ibrit si dhe çështjet e tjera që janë me interes të përparimit të mëtejme të dialogut të Brukselit”, është shprehur Tahiri.

Duke folur për të ardhmen e dialogut për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ajo ka treguar se pas përmbushjes së synimeve të marrëveshjes së 19 prillit, të dy shtet mund të hapin edhe tema të reja.

Tahiri ka deklaruar se këto tema duhet të jenë në interes të dy vende dhe në shërbim të përmbushjes së kritereve të BE-së. “Sigurisht se në fazat e ardhshme të dialogut, kur do të përfundojnë këto tema që kanë dalë nga marrëveshja për normalizim të datës së 19 prillit, do të iniciohet edhe hapja e temave të reja që janë me interes së pari për vendin tonë, por edhe për synimet për fqinjësi të mirë dhe plotësim të kushteve të BE-së, përkatësisht kritereve të Kopenhagës për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal”, ka deklaruar Tahiri.

Raundi i ri i dialogut të Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë, i pari pas zgjedhjeve nacionale në Kosovë, do të mbahet më 9 shkurt. Në takimin e parë mes Mustafës dhe Vuçiqit me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, pritet të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka drejtuar deri më tani dialogun politik me Serbinë. Takimi i fundit në mes të kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është mbajtur 31 mars të vitit të kaluar. Në atë kohë delegacioni i Kosovës udhëhiqej nga Hashim Thaçi, ndërsa ai i Serbisë nga Ivica Daçiq, kurse ndërmjetësuese e këtij takimi ishte ish-shefja për politikë të jashtme dhe siguri e BE-së, baronesha Catherine Ashton.