Tahiri siguron: I pa kompromis ndaj korrupsionit, për të përmbushur kriterin e fundit të liberalizimit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se votimi i sotëm i demarkacionit plotëson njërin prej kritereve bazike të procesit të liberalizimit të vizave, dhe veprim jetik për perspektivën evropiane.

Lajme

21/03/2018 19:15

 

“Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës i dha zgjidhje meritore çështjes së demarkacionit me aleatin tonë anëtar të NATO-s, Malin e Zi, e rrjedhimisht, dëshmoi më shumë se asnjë herë tjetër, se është në mbrojtje të interesave tona strategjike shtetërore dhe qytetare. Votimi pro ratifikimit të kësaj marrëveshje përpos që e përmbylli temën më të përfolur gjatë viteve të fundit, po ashtu plotësoi njërin nga kriteret bazike të procesit të liberalizimit të vizave, që së shpejti do ta mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, në Evropë. Pra, miratimi i këtij ligji pos që është i një interesi primar shtetëror, është veprim jetik edhe për perspektivën evropiane të shoqërisë dhe shtetit tonë”, ka shkruar Tahiri.

Duke qenë se luftimi i korrupsionit është kushti tjetër i këtij procesi, ministri Tahiri ka premtuar se në këtë luftë do të jetë i pa kompromis.

“Tash, përgjegjësia për liberalizimin e vizave bie mbi institucionet e sistemit të drejtësisë dhe para kësaj përgjegjësie, unë jam i gatshëm dhe i pa kompromis. Na mbetet që me dinamikë të përshpejtuar dhe efikasitet të lartë të përmbushim kriterin e dytë, atë të luftimit të korrupsionit. Ministria që unë drejtoj, së bashku me institucionet dhe organet e zbatimit të ligjit, do të jenë në krye të detyrës për të shënuar efikasitet më të lartë në këtë drejtim”, ka përfunduar Tahiri.