Tahiri: Shteti tregoi si mbrohet sovraniteti

Njohësi i rrethanave politike në vend, Ramush Tahiri ka lavdëruar reagimin e institucioneve të Kosovës për aksionin që ndali hyrjen e trenit ilegal serb në territorin e Kosovës.

Lajme

15/01/2017 23:02

Ai ka vlerësuar se aksioni ishte i përkryer dhe meritat për këtë u takojnë të gjithëve. Në bisedën për gazetën Epoka e Re, Tahiri ka bërë me dije se në këtë rast kanë funksionuar të gjitha hallkat shtetërore pasi u ndal Serbia, e cila kishte synim që me këtë tren ta shkelë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Tahiri, i cili ka qenë këshilltar politik i ish-presidentes Atifete Jahjaga, i ka kritikuar disa opinionistë, të cilët kanë pretenduar se me urdhrin e tij për ta ndalur trenin, presidenti Hashim Thaçi ka shkelur Kushtetutën e Kosovës.

Ai ka thënë se analistët në disa raste tregohen smirëzi, ngaqë institucionet janë zgjedhur për të marrë përgjegjësi.