Tahiri: Shpend Ahmeti asnjë meritë nuk e ka për ujin, 2.5 milionë euro ende si ka paguar për Ujësjellësin

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kryetari i tanishëm i Prishtinës nuk e ka asnjë meritë për ujin 24 orë në Prishtinë.

Lajme

28/03/2017 13:14

Tahiri ka shkruar në Facebook se Ahmeti madje ende nuk i ka paguar ujësjellësit 2.5 milionë euro që ka qenë pjesë e marrëveshjes për ndërtimin e fabrikës së ujit në Shkabaj.

Tahiri përmes një statusi në Facebook ka thënë se Ahmeti madje as që ka pasur në plan të investonte në fabrikën e re, me arsyen se nuk i duhet Prishtinës.

Ky është shkrimi i plotë i Ahmetit në Facebook:

Është me të vërtetë e mjerë përpjekja e dëshpëruar e kryetarit në ikje të Komunës së Prishtinës për të uzurpuar meritën për furnizimin me ujë 24 h të Prishtinës. Dje ka postuar një lajmërim për pastrimin e gypave dhe sot ka pyetur qytetarët a kanë ujë duke e shitur veten si meritori për këtë furnzim. Kompania Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” që siguron furnizimin me ujë është shoqëri aksionare që përfshin ofrimin e shërbimeve jo vetëm në Prishtinë por edhe në Fushë Kosovë, Obiliq, Shtime, Lipjan,Podujevë , Gllogoc,Graqanicë dhe Vushtri. Kjo kompani mbulon 40% të popullatës së Kosovës me shërbimet të ujit të pijshëm.

Projekti i Ujësjellësit është bërë në kohën e qeverisë së kryeministrit Thaçi dhe kur komuna ishte në dorën e LDK-së në bashkëpunim me bankën gjermane KFË. Për sa i përket investimit bëhet fjalë për 5 milionë euro të qeverisë, 20 milionë kredi, 5 milionë euro grant i Bashkimit Evropian dhe 5 milionë euro investim të Komunës së Prishtinës. Projekti është udhëhequr nga konsulenca gjermane Dorch ndërsa zbatues Strabag i Austrisë dhe Trema Engineering 2 i Shqipërisë. Komuna e Shpend Ahmetit jo vetëm që nuk ka meritë për këtë projekt, por ende i ka borxh KUR Prishtinës gjysmën e fondeve të zotuara, pra 2.5 milionë euro pa dhënë, ndërkohë që çdo vit është i paaftë të harxhojë buxhetin e komunës duke pasur surplus në buxhet.

Për t’jua kujtuar të gjithë qytetarëve, Shpend Ahmeti jo vetëm që nuk ka asnjë gjë të bëj me projektin që sot furnizon qytetin e Prishtinës por ka pasur projekt krejt tjetër për furnizimin e qytetarëve me ujë. Në fushatën zgjedhore të vitit 2013 vizioni i Ahmetit ishte që Prishtina nuk kishte nevojë për fabrikë të re uji. Sipas tij Prishtina kishte mjaftueshëm ujë por thjesht kishte humbje të madhe në rrjet dhe nivel të ulët të faturimit prandaj premtonte që brenda gjashtë muajsh do të zbulonte të gjitha rrjedhjet në rrjet dhe kyçjet ilegale duke dënuar ashpër abuzuesit. Mandej premtonte se nëpërmjet kësaj strategjie do e sanonte sistemin dhe do të siguronte furnizimin e plotë me ujë brenda 24 orë./Lajmi.net/