Tahiri: Serbia po e bllokon kodin telefonik, të ndërhyjë BE

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka kërkuar ndërhyrjen e Bashkimit Europian për të zhbllokuar zvarritjen për kodin telefonik të Kosovës.

Lajme

28/05/2016 11:03

Ajo pas takimeve të një dite më parë në Bruksel, ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për këtë çështje, por është Serbia ajo që po e bllokon.

“Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet zbatuese të marrëveshjes për kodin telefonik me kohë dhe cilësi, mirëpo zvarritjet janë bërë nga ana e Serbisë dhe se deri më tani Serbia nuk ka treguar vullnet politik për t’i kryer obligimet zbatuese. Ajo kërkoi nga Bashkimi Evropian që të rritë përpjekjet për ta zhbllokuar çështjen dhe se Kosova sa më parë ta marr kodin nga ITU-ja, si dhe potencoi duke marr parasysh që çështja e telekomit është mbi pesë vjet në tryezën e bisedimeve, tregon qartë mos gatishmërinë e Serbisë për marrëveshjen e telekomit dhe si duket vetëm një ndërhyrje e fuqishme e BE-së mund të bëjë që kjo marrëveshje të zbatohet”, ka thënë Tahiri, thuhet në komunikatë.

Në takimet në Brukesl, delegacioni i Kosovës i kryesuar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, në takime bilaterale me ndërmjetësit e BE-së diskutoi mbi çështjen e zhbllokimit të kodit telefonik për Kosovën, duke theksuar se Serbia po e shkelë marrëveshjen për telekomin sipas të cilës Kosova para disa muajsh është dashur ta merr kodin telefonik nga ITU.

Takimet u zhvilluan gjatë gjithës ditës, kryesisht në format bilateral. Në bazë të diskutimeve të zhvilluara dypalëshe, ndërmjetësi i BE-së, Nicholas Cendroëicz vlerësoi se bisedimet e zhvilluara kanë krijuar hapësirë për vazhdimin e takimit që pritet të ndodh javën tjetër.