Tahiri: Rekomandimi pozitiv për vizat – ngjarja më e madhe në vitet e fundit

Besnik Tahiri, Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, ka thënë se rekomandimi pozitiv i Komisionit Europian për çështjen e vizave është lajmi më i mirë që vendi ka marrë në vitet e fundit.

Lajme

18/07/2018 18:34

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka nënvizuar se pret që procesi të finalizohet në një afat jo të gjatë kohor, për shkak se deklarata e KE-së ka dhënë me tone shumë pozitive reformat që janë bërë nga institucionet e vendit.

“Kjo është ngjarja më e madhe në disa vitet e fundit. Kjo nuk nënkupton që ta marrim bajrakun për punën e bërë. Ky është proces shumë serioz dhe jam i lumtur që vlerësimi është shumë decidiv. Kjo nuk është rrjedhojë e punës së një qeverie, por në vitin e fundit është bërë punë e madhe”.

“Procesi i liberalizimit është proces shumë teknik, që vlerësohet në secilën pikë nga Komisioni Europian. Puna e madhe në të gjitha shkallët, sidomos nga Policia e Kosovës, që është e para në rajon për veprimet e marra në luftimin e migrimit të parregullt, ka bërë që të vihet deri këtu”.

“Tani na pret një proces shumë serioz, shumë i përgjegjshëm, për t’i përmbushur edhe punët tjera, që janë kryesisht të natyrës politike”.

“Deklaratat e fuqishme nuk bëhen në raport zyrtar pa qenë të përmbushura qind për qind obligimet. Vendimi i Komisionit Europian nuk ka lënë pezull asgjë. Sot komisioneri ishte shumë i qartë, që Ballkani Perëndimor nuk do të lihet anash”.

“Rekomandimi është i qartë dhe atij nuk do t’i ikin as Parlamenti as Këshilli. Përveç nëse ne bëjmë ndonjë gabim shumë të madh, e unë e di që kryeministri është shumë i përkushtuar për ta përfunduar këtë punë”.