Tahiri: Rekomandimi pozitiv nga LIBE, dëshmi se Kosovës po i shpaguhen përpjekjet për fuqizimin e ligjit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në rrjetin social Facebook, ka shkruar për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave, që sot u mor nga Parlamenti Evropian, respektivisht nga Komitetit i PE-së, LIBE. Tahiri ka shkruar se ky vendim është shpagim i përpjekjeve për fuqizimin e sundimit të ligjit.

Lajme

30/08/2018 13:43

“Pas miratimit të rekomandimit për liberalizimin e vizave në Komitetin për Liritë Qytetare, Drejtësi, dhe Çështje të Brendshme (LIBE) të Parlamentit Evropian, jemi edhe një hap më afër lëvizjes së lirë, për qytetarët tanë. Ky qëndrim konstruktiv i europarlamentarëve, është dëshmi se Republikës së Kosovës janë duke iu shpaguar përpjekjet për fuqizimin e sundimit të ligjit”, ka shkruar Tahiri.

Tahiri ka theksuar se ndryshimet pozitive në drejtësi, pos në rekomandimin pozitiv për vizat, do të ndikojnë pozitivisht edhe në përditshmërinë e qytetarëve.

“Nuk ka asnjë dilemë se efektet e ndryshimeve në Sektorin e Sundimit të Ligjit, kanë qenë vendimtare në këtë proces dhe do të jenë edhe më vendimtare në ndikimin e drejtpërdrejtë në përditshmërinë e qytetarëve tanë”, ka shkruar Tahiri.

“Të gjithëve urime për këtë sukses të përbashkët!”, ka shkruar në fund Tahiri. /Lajmi.net/