Tahiri: Reforma e Rishikimit Funksional do të definoj adresat e dështimit apo të suksesit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, është i bindur se reforma që ai ka ndërmarrë, Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit, do të qartësojë adresat e dështimit por edhe të suksesit të këtij sektori.

Lajme

16/10/2018 14:04

Këtë gjë ai e potencoi edhe në një status në rrjetin social Facebook, pasi mori pjesë në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

“Për 17 vite me radhë, sistemi ynë i drejtësisë është konsoliduar përmes kontributit të shumë shkollave të mendimit dhe sot është më e nevojshme se kurrë që të ndodhë një unifikim i parimeve, komunikimit ndër institucional si dhe identifikimit të qartë se çfarë përgjegjësie kanë institucionet në fushat të caktuara. Kemi nevojë për adresa të qarta qoftë të dështimit, qoftë të suksesit. Këtë po e arrijmë përmes reformës së Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit” ka shkruar Tahiri.

Sipas të parit të Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, drejtësia është temë qendrore këtij mandati, andaj do të punohet në kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

“ Po ashtu, nëse kuadrin ligjor e kemi në rregull, tani edhe resurset janë duke u plotësuar, prandaj vendit i nevojitet një menaxhim shumë më i mirë i sistemit të drejtësisë, përmes përmbylljes së disa çështjeve vitale, gjë që do të provojmë ta arrijmë përmes agjendës “Drejtësia 2020″. Drejtësia është temë qendrore e këtij mandati qeverisës dhe bashkërisht do të shënojmë progres që qytetarët tanë të besojnë në sistemin e drejtësisë, bazuar mbi vetë përvojën e tyre” ka përfunduar Tahiri.