“Tahiri”, reagon BE: Mirëpresim hetimet, por kujdes me prezumimin e pafajësisë

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për Krimet e Rënda, që la në arrest shtëpie ish-ministrin e Brendshëm dhe tashmë ish-deputetin, Saimir Tahiri.

Lajme

13/05/2018 16:53

Përmes një deklarate të shkurtër, BE thotë se përshëndet punën e autoriteteve ligjzbatuese në Shqipëri, por kujton parimin e prezumimit të pafajësisë dhe rëndësinë që ka ai në një shtet të së drejtës.

“Bashkimi Europian përgëzon punën e autoriteteve të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe zhvillimet e fundit pozitive lidhur me hetimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa rikujton se prezumimi i pafajësisë është një element themelor i së drejtës për një procedurë të drejtë gjyqësore”, thotë deklarata.

Bashkimi Europian shpreh pritshmërinë e tij që autoritetet shqiptare ta vazhdojnë me vendosmëri luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që e cilëson si thelbësore për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Gjykata vendosi ditën e shtunë arrest shtëpie për Saimir Tahirin, një vendim që ka lënë të pakënaqura të dyja palët, si prokurorinë, ashtu edhe palën mbrojtëse. Avokati i Tahirit kundërshton masën e sigurisë, ndërsa organi hetues kërkon masë sigurie “arrest me burg”./tch