Tahiri: Rama në Festivalin e Gjirokastrës përjashtoi Ansamblin Popullor të Çamërisë

Deputeti i PD-së, Dashamir Tahiri apelon për dialog me qëllim zgjidhjen e çështjes çame, ndërsa nga qeveria socialiste kërkon që të ushtrojë presion mbi Athinën zyrtare për zgjidhjen saj.

Lajme

05/11/2016 08:11

Tahiri thotë për “Gazeta Shqiptare” se presioni i Tiranës mbi Greqinë do të jetë më i fortë kur PD-ja të vijë në pushtet. Ndaj, Dashamir Tahiri shpreh bindjen se çamët shumë shpejt do të kthehen në trojet e tyre në Çamëri.

Z.Tahiri, pse kaq shumë debat për çështjen çame dhe pse kaq e vështirë zgjidhja?

Sot në Shqipëri jetojnë 300 mijë çamë. Pas gjenocidit grek, popullsia çame është persekutuar në mënyrë të vazhdueshme nga diktatori Hoxha. Ndaj, me rrëzimin e saj doli në skenë çështja çame, e cila u mbështet pa hezitim nga Partia Demokratike. U krijua shoqata që mbronte interesat e komunitetit çam. Në vitin 1993 bashkë me kreun e shoqatës, Hajri Xhemali, shkuam në Konispol dhe mbrojtëm çështjen çame. Aty ishte si përfaqësues i qeverisë demokratike edhe z.Safet Xhulali.

Pas një viti, data 28 qershor u njoh si dita e gjenocidit, por gjatë ngjarjeve të vështira të ’97-ës, kjo çështje u bllokua, pasi nuk gjeti mbështetjen e PS-së. Pas ardhjes së të majtëve në pushtet ishte z.Ilir Meta, ai që në vitin 1999 e ngriti në Athinë pikërisht çështjen çame. Nisën edhe protesta për të drejtat e çamëve, ndërkohë që në atë kohë ish-ministri i Kulturës, Edi Rama në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës përjashtoi nga paraqitja Ansamblin Popullor të Çamërisë. Më pas, në vitin 2004 është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë një rezolutë për zgjidhjen e çështjes çame, por që nuk ishte botuar në Fletoren Zyrtare, gjë që shkaktoi debate të ashpra.

Kjo u mor vesh në vitin 2013 dhe të gjendur përpara një situate të tillë, ne kërkuam sqarime në lidhje me miratimin e kësaj rezolute. Ne e cilësuam si të papranueshme atë që kishte ndodhur në vitin 2004.

Atëherë unë kam kërkuar madje ndjekje penale për kryetarin e Kuvendit të asaj kohe, Servet Pëllumbi, pasi kishte falsifikuar vullnetin politik. Rezoluta në thelb kërkonte të bënte aktiv Traktatin e Miqësisë dhe jo ta linte atë si një letër e vdekur, siç është sot, sa u takon të drejtave të shqiptarëve çamë dhe më gjerë.

Çfarë kërkon realisht popullsia çame nga autoritetet greke?

Ne nuk kërkojmë shtëpi në Athinë, ne kërkojmë shtëpitë e baballarëve tanë në Prevezë, aty ku i kanë pasur. Kjo është një çështje e drejtë. Askush nuk mund ta quajë ndryshe. Hebrenjtë u kthyen në trojet e tyre amtare pas dymijë vjetësh dhe ne do të kthehemi shumë shpejt. Qeveria e atëhershme kuinslinge greke i dëboi dhe i vrau shqiptarët e Çamërisë, duke shfarosur 20 për qind të popullsisë. I vetmi gjenocid i padënuar në Ballkan është ai i grekëve.

Ligji i luftës duhet hequr. Ai ligj nuk ka punë me çamët, por edhe me gjithë shqiptarët që kanë blerë sot shtëpi në Greqi dhe ai ligj i dëmton të gjithë. Por, çamët deri në 1953 kanë qenë shtetas grekë dhe në ’46-ën, në Konferencën e Paqes, Enver Hoxha ka mbajtur një fjalim të quajtur madhështor nga grekët, ku doli patrioti më i madh, e këto skena po i shikojmë edhe sot.

Ai ra dakord me Greqinë do t’i kthente çamët, do t’u jepnin shkollat, të gjitha, nga ana tjetër u kthye, kishte vënë kryetar komisioni Nesti Karanxhën. Së bashku me Palmerin, kolonelin anglez ku të dyja palët nuk bënë asgjë por përkundrazi i mori i burgosi, ua mori edhe paratë nga xhepat, florinjtë ç’kishin, deri sa i bëri nënshtetas me dhunë. Vazhdoi edhe më vonë si ajo e Teme Sejkos dhe më vonë, deri në kohët tona.

A është hapur ndonjë gjyq për këtë çështje?

U përfol për një lëvizje me një avokat anglez dhe ka 7 vite që po merret me këtë çështje, por ende nuk ka asgjë konkrete. Vetë kam paguar para për hapjen e këtij gjyqi, kam edhe faturat madje, por nuk është bërë asnjë lëvizje. Çështjen duhet ta çojmë menjëherë në gjykatat ndërkombëtare. Unë kam çuar dosjen në Kongresin Amerikan, kam zhvilluar takime me kongresmenë pikërisht për çështjen çame dhe kjo çështje kërkon zgjidhje.

Mendoni se qeveria aktuale po i jep një shtysë kësaj zgjidhjeje?

Nuk pres që çështja çame të zgjidhet nga kjo qeveri. Çështja çame nuk zgjidhet me nacionalizma dhe fjalë boshe. Ilir Meta e ngriti çështjen në Athinë, ata u shprehën të pakënaqur. Ato që mund të thuheshin, Meta i tha; problemi është që ne çështjet të mos i ngrijmë, por t’i shkrijmë me dialog, pa nacionalizma, pa tallje të mëdha dhe fjalë boshe. Çështja çame zgjidhet vetëm me dialog. Qeveria aktuale nuk po bën aq presion sa duhet. Ne jemi për dialog dhe qeveria duhet të bëjë presion, por kjo qeveri nuk e bën. Kur të vijmë ne në pushtet, do të bëjmë presion më të fortë, do të marrim dhe gjyqet përsipër. Çfarë dialogu është bërë, vetëm pallavra ka, tallje politike.

Çështja çame është krijuar nga Enver Hoxha. Ai ka qenë sebepi i parë, se ai e bëri këtë në bashkëpunim me Partinë Komuniste greke dhe nuk zgjidhet nga pinjollët e Enver Hoxhës, që janë sot në qeverisje dhe këta që hidhen nga pas, këta që kanë qenë me mua përpara.

Ndryshe nga deputetët e tjerë çamë, ju pse zgjodhët PD-në?

Unë jam aty ku kam qenë, kjo është arsyeja që nuk bëhem me mazhorancën. Unë nuk bëhem me mazhorancën, se janë pinjollët e Enver Hoxhës. Unë i kam kërkuar PD-së që çështjen çame ta përfshijë në programin e ardhshëm të saj. Më kujtohet këshilla e baballarëve çamë kur i nisnin djemtë ushtarë. Ata i porosisnin: “Bëni kujdes, se mos ju përdor partia! Nëse ju kërkojnë të bëheni anëtarë partie, thoni që jeni të paarsimuar, pasi kush merret me ta do të përfundojë keq”.

Si mund të zgjidhet çështja çame?

S’kemi bërë asgjë deri më sot, përveç tam-tam-eve politike. Si ajo e rezolutës, që ndenji 9 vite në parlament dhe ende nuk ka hyrë në fuqi. Dëgjova që do aktivizojnë traktatin e miqësisë, nuk dimë akoma se kush do të jetë në këtë komision. Çfarë pjese do të kenë çamët në këtë komision? Si do të zhvillohet? U fol që është për 3 gjëra ky komision: për kufirin detar, çështjen çame dhe varrezat e grekut. Grekët e kanë bërë një varrezë, çamët nuk kanë bërë asnjë varrezë andej matanë.

Pala tjetër të ka çuar në arbitrazh, ne nuk kemi çuar asnjë në arbitrazh dhe në gjyq. Kjo është detyrimi i qeverisë. Qeveria duhet t’i kthehet dhe ta bëjë këtë sa më shpejt dhe jo të merret me tam-tam-e politike dhe jo me llafe bosh elektorale.

Vetë ministri Kotziaspara pak ditësh u tregoi shqiptarëve se sa e kishin GDP-në, se sa të fortë e kishin ushtrinë se çfarë fuqie kishin dhe askush nuk ka dalë që të flasë ose t’u drejtohet si dy vende në NATO që jemi, plus aspiratat e tjera ku t’i kërkojë ose t’i drejtohet me një notë proteste për ato që ka thënë. Asnjë nuk kërkon të bëjë atë që duhet të bëjë.