Tahiri: Punëtorët e gjykatave meritojnë të trajtohen denjësisht dhe këtë trajtim do ta kenë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri është shprehur i lumtur që kanë gjetur gjuhë të përbashkët me punëtorët e gjykatave për ndërprerjen e grevës.

Lajme

11/07/2018 16:38

Ai ka thënë se me vendimin e tyre punëtorët dëshmuan besimin që kanë ndaj institucioneve të vendit.

Tahiri me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se këta punëtor do të trajtohen denjësisht.

Punëtorët e gjykatave që disa ditë kanë qenë në grevë duke kërkuar rritje të pagave.

Postimi i plotë i Tahirit:

Jam shumë falënderues ndaj punonjësve të administratës së Gjyqësorit të cilët me ndërprerjen e grevës dhe rikthimin në punën e tyre në shërbim të qytetarëve, dëshmuan besimin që kanë ndaj institucioneve tona qeveritare, Ministrinë e Drejtësisë, përkatësisht Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial, si adresa ku shtrohen dhe zgjidhen kërkesat racionale që dalin si nevojë e kohës. Natyrisht, kjo çështje ka qenë shqetësim i imi që nga shtrimi i kërkesave të tyre dhe sot jam i lumtur që një marrëdhënie e re është duke u zhvilluar në diskursin e komunikimit mes punonjësve të administratës së Gjyqësorit dhe neve që jemi adresa e trajtimit të tyre. Për dallim nga mos prezenca “e pa precedent” siç është cilësuar nga deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, në Komisionin për Legjislacion ku kjo temë ishte menduar të trajtohej para kamerave, në atë kohë isha përballë grevistëve dhe po e trajtonim konkretisht këtë temë. Besoj se në një peshore reale, çdo kush e vlerëson përpjekjen për të ofruar zgjidhje e jo thjeshtë për të performuar për to. Me ndërprerjen e grevës, punonjësit e administratës dëshmuan se nuk janë të prirur nga instikti personal, por meritojnë të trajtohen denjësisht dhe këtë trajtim do ta kenë. Së bashku jemi duke e bërë sundimin e ligjit, një temë qendrore e cila po merr kuptim të mirëfilltë./Lajmi.net/