Tahiri premton qasje të plotë në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në një takim njoftues ekipin e Amnesty International, të përbërë nga Gauri van Gulik, Zëvendës Drejtoresh për Evropën , si dhe raportueset Sian Jones dhe Jelena Sesar.

Lajme

12/12/2017 13:30

Tahiri, ka njoftuar për prioritetet e tij në mandatin 4 vjeçar, si dhe për punën që po bëhet në harmonizimin e normave ligjore konform standardeve bashkëkohore ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.

Ministri Tahiri ka përmendur punën që Qeveria ka bërë në kompensimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, duke arritur që për këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë të ofrohet trajtim i dinjitetshëm. Në këtë rrafsh, ministri Tahiri ka premtuar se do të jetë i përkushtuar që t’iu mundësojë qasje të plotë në drejtësi.

Zëvendës Drejtoresha për Evropën në Amnesty International,van Gulik ka ofruar mbështetjen e saj për Ministrinë në përmirësimin e politikave, që do të ndihmonin Kosovën në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut./Lajmi.net/