Tahiri për udhëheqjen e dialogut: Thaçi njeriu më i përgatitur, Kurti s’mund të jetë – Lajmi.net
Tahiri për udhëheqjen e dialogut: Thaçi njeriu më i përgatitur, Kurti s’mund të jetë
Autori: Lajmi.net LajmePolitikë 20:10, 13 July 2018
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, e ka cilësuar si zhvillim pozitiv takimin e përbashkët të liderëve të shtetit me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini në Bruksel, të paralajmëruar për datën 18 korrik.

Ai ka thënë se beson se koalicioni qeveritar do të vazhdojë kontaktet me opozitën pasi sipas tij, roli i opozitës në këtë proces është shumë i rëndëishëm.

“Është e rëndësishme që ky ekip që do të negociojë marrëveshjen finale me Serbinë të ketë mbështetjen e 2/3-ave (80 vota) në Kuvendin e Kosovës”.

“Mendoj se është e nevojshme që opozita të jetë e përfshirë, në çfarë do opsioni. Mund të mos jenë pjesë e ekipit por është e rëndësishme që në fund kjo marrëveshje duhet të votohet me 2/3-at në Kuvendin e Kosovës”.

“Duhet të gjejmë modalitetet dhe mënyrën se si do të qasemi në raport me LDK-në”.

“Kam parë një konstruktivitet nga Partia Socialdemokrate. Me vetë faktin se në tryezën e tyre politike ka qenë çështja e dialogut, mendoj që ata kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë që të jenë pjesë e këtij procesi dhe ta japin kontributin e tyre që ta përmbyllim këtë çështje”.

Tahiri në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se Kosova nuk duhet ta humbasë vëmendjen e SHBA-vë, Evropës dhe Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, por përkundrazi, duhet të shfrytëzohet kjo mundësi që Kosova të anëtarësohet në OKB.

Ministri i Drejtësisë ka përkrahur idenë që i pari i vendit të udhëheqë dialogun me Serbinë duke e vlerësuar si “personin më të përgatitur dhe të përshtatshëm në Kosovë” për një proces të tillë.

“Mendoj se komuniteti ndërkombëtar kërkon dakordim (unitet) nga klasa politike. Mendimi im personal është se Kosova nuk ka asnjë person më të përgatitur dhe të përshtatshëm për të negociuar një proces të tillë se sa presidenti Thaçi. E dimë përvojën e tij politike dhe angazhimin e tij në procese të rëndësishme si Rambujeja, Vjena dhe në fund Brukseli”.

“Mendoj se është personi më adekuat dhe i përgjegjshëm – politikani më me përvojë për të udhëhequr një proces të tillë”.

“Ne nuk kemi parë asnjëherë deri tash pretendime nga dikush ose nuk janë thënë emra që mund të jenë udhëheqës të këtij procesi. Megjithatë nuk mendoj se udhëheqësi duhet të dalë prej institucioneve”.

“Qeveria e ka dhënë qëndrimin e vet në këtë proces  që mendoj se është i drejtë pasi kryeministri është i përcaktuar që të jetë i angazhuar në qeverisjen e vendit dhe nuk duhet të humbasë kohë me tema të tjera”.

Por Tahiri ka qenë shumë i prerë kur ka folur për mundësinë që dialogun ta udhëheqë kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Njeriu që më së paku i shkon dikujt në mendje është Albin Kurti. Nuk mund të jetë ai një person që udhëheq një proces kaq të rëndësishëm duke ditë historikun e aktiviteteve të tij politike dhe kundërshtimin e vazhdueshëm të të gjitha procese të mundshme”.

“Si mund ta drejtojë një person i tillë një proces kaq të rëndësishëm?”.

“Askush nga klasa politike nuk i ka dhënë asnjëherë përkrahjen atij (Albin Kurtit) për udhëheqjen e proceseve të tilla. Unë nuk po flas as për përgatitjen e as për patriotizmin e tij, po flas për qasjen e tij në vazhdimësi në proceset që kanë ndodhë dhe kundërshtimet e tij”

“Jam skeptik që duhet të jetë pjesë e këtij procesi sepse kemi pasë në vazhdimësi kundërshtime nga ai për të gjitha proceset e mundshme që kanë ndodhur. Si mund të udhëhiqet një proces kaq i rëndësishëm nga një person sikur ky?

“Në asnjë rrethanë, nuk mendoj se është e mundur që të ndodhë një gjë e tillë”.

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO