Tahiri paraqitet në Prokurori për kërcënimin ndaj Konit

Ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në lidhje me çështjen e kërcënimit të rektorit Mynyr Koni.

Lajme

24/03/2017 13:52

Ky i fundit u përfol se u kërcënua pak ditë para zgjedhjeve për rektorin e Universitetit të Tiranës nga një grup personash që e hipën në mjetin e tyre.

Pas daljes nga Prokuroria, ish-ministri i Brendshëm tha se i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës së Prokurorisë për të treguar detyrën që ka bërë. “Dëshmova për detyrën që kam bërë për rastin kur dy profesorët deklaruan se u kërcënuan”, tha Tahiri.

Tahiri tha se çdo kontribut i yni është për një Shqipëri më të fortë dhe më të drejtë. “Reforma në drejtësi i jep formë aspiratës së shqiptarëve për të pasur drejtësinë që duam. Shqiptarët duan të dinë nëse do të kemi një drejtësi më të mirë apo jo”, tha Tahiri.

Ai u pyet edhe për çështjen “Balili”. “Kur ushtroja detyrën, Balili u kthye nga drejtues institucioni në person në kërkim”, u shpreh ai.

Për të njëjtën çështje në prokurori do të pyetet më vonë edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, shkruan TCH.