Tahiri: Njëherë kodin telefonik, pastaj mund të bisedohet për energjinë

Kosova është dashur që tashmë ta ketë kodin e saj telefonik 383, bazuar në marrëveshjen e arritur dy vjet më parë, por Serbia po e pengon këtë proces.

Lajme

07/05/2015 07:54

Sipas marrëveshjes së 2013-tës, e cila u arrit në Bruksel, janari i këtij viti (2015), ka qenë koha e fundit kur Kosova është paraparë që të pajiset me kodin telefonik 383, që do të përdorej nga të gjithë operatorët në Kosovë.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë për “Zëri” se kjo çështje mbetet ballafaqimi i momentit mes dy shteteve. Ajo ka bërë të ditur se më 8 dhe 9 maj, grupi teknik i dialogut Prishtinë-Beograd do të takohen në Bruksel për të biseduar me theks të veçantë për këtë çështje.

Marrëveshja thotë se për Kosovën do të aplikojë një shtet tjetër anëtarë i BE-së në ITU( Unioni Ndërkombëtarë i Telekomunikimeve), për të marrë kodin dhe ky shtet është caktuar të jetë Austria.

“Por pala serbe ka bllokuar këtë marrëveshje, astu si shumë të tjera dhe nuk po lejon Austrinë që të aplikojë në ITU për Kosovën që ta marr kodin e saj telefonik, që do të jetë 383”, sqaron Tahiri.

Tahiri ka bërë të ditur se gjatë tërë muajit maj, takimet mes palëve teknike, do të punojnë që të zgjidhin bllokadën që po bën Serbia për çështjen e kodit telefonik.

Ajo tha se vetëm pas zgjidhjes së kësaj çështje, dialogu do të vazhdojë me temën e radhës, e cila është energjia.