Tahiri: Niveli lokal të kthehet në prioritet gjatë vitit 2017

Drejtori i Institutit për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka thënë se gjatë vitit 2017 niveli lokal duhet të bëhet prioritet i domosdoshëm për vendin. Ai ka vlerësuar se ka nevojë për një rregullativë që komunat do ti kthente në një rol real qeverisës.

Lajme

03/01/2017 09:45

Njohësi i pushteti lokal, Besnik Tahiri në një intervistë për lajmi.net ka thënë se komunat e Kosovës janë duke operuar në një mjedis ku po ndikohen nga zhvillimet që po ndodhin në nivelin qendror.

Ai është shprehur se asambletë komunale janë rikthyer në forum për ngritje dore dhe nuk po e kryejnë rolin e tyre, si forcimin e demokracisë dhe kërkimi  i  llogaridhënies

Lajmi.net: Si e vlerësoni performancën e komunave gjatë vitit 2016?

Tahiri: Edhe pse ka progres në rritjen e performances së komunave lidhur me ofrimin e shërbimeve komunale krahasuar me vitet e kaluara, komunat ende ballafaqohen me paqartësi ligjore; kapacitete të kufizuara operacionale, teknike dhe profesionale. Komunat po vazhdojnë të funksionojnë me kornizën e administrimit, formë kjo e shprehur në rregullativë dhe logjikën e menaxhmetit komunal.

Për më tepër, komunat nuk po gjejnë mjaftueshëm mbështetjen nga institucionet qendrore. Ato po operojnë në një mjedis ku në shumicën e rasteve ndikohen nga zhvillimet në nivelin qendror të qeverisjes, dhe si të tilla, ngadalësojnë fuqizimin e nivelit lokal. Ndër-varshmëria e procedurave dhe paqartësitë e llogaridhënies po pengojnë operimin me efikasitet të ndërmarrjeve dhe agjenesioneve rajonale dhe qeveritare. Në shumë raste, mungesa e një harte të qartë procedurale po i ballafaqon autoritetet lokale me kërkesat në rritje të qytetarëve…

Ndërkaq shtylla kyçe ajo e investimeve dhe shpenzimeve të buxhetit nuk po arrihen të kaloj përtej investimeve bazike në infrastrukturë për tu kthyer në instrument zhvillimorë. Duke marrë parasysh gjithë këto vështirësi, komunat nuk mund të marrin përgjegjësinë e plotë për sukseset e as dështimet. Andaj është i domosdoshëm një proces i reformës sektoriale në mënyrë që komunat të arrijnë të marrin përgjegjësinë e plotë dhe duke hapur rrugën për një zhvillim të qëndrueshëm.

Lajmi.net: A mendoni se komunat kanë arritur të përmbushin obligimet që kanë ndaj qytetarëve?

Tahiri:  Fillimisht, duhet theksuar se komunave u janë dhënë shumë përgjegjësi e që resurset kryesisht janë të varura në nivelin qendrorë. Madje, një pjesë e madhe e përgjegjësive ende janë të paqarta, me theks kjo ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve nga kompanitë regjionale, ndërlikushmëria e procedurave, mënyra e financimit dhe prona.

Pra, përmbushja e obligimeve karshi qytetarëve nuk mund të trajtohet ndaras nga raporte ndër-sektoriale, brenda komunale dhe ndër-institucionale, ngase operacionalizimi i plotë i ofrimit të shërbimeve ndërlidhet direkt me politikat dhe rregullativen që vjen nga këta mekanizma. Gama e shërbimeve publike ka një shtrije të gjerë  nisur nga uji i pijshëm, transporti publik, higjiena e deri tek ato më pak të dukshme, por jo më pak të rëndësishme, shërbimet administrative komunale.

Pavarësisht kësaj, disa komuna kanë arritur progres, me theks në ato raste ku është rritur kohezioni me akterët lokal, duke i dhënë frymë zhvillimit lokal. Progres po ashtu është shënuar në inovacion të shërbimeve duke thjeshtësuar ndjeshëm procedurat administrative.

Në anën tjetër shqetësuese mbeten dy aspekte: e para ndërlidhet me kontrollin dhe balancin e pushteteve dhe e dyta pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në hartimin e politikave këto shpesh po kthehen në deficit demokratik. Madje ky është shqetësim i vazhdueshëm në raportin e progresit, ku theksohet se ende ka mungesë të resurseve dhe përkushtimit politik në adresimin e kësaj sfide.

Lajmi.net:  Viti 2016 në nivelin qendror është vlerësuar si jo i mirë duke pas parasysh edhe situatën e tensionet politike. A po ndikojnë zhvillimet në nivelin qendror edhe tek ai lokal?

Tahiri:  Zhvillimet politike nacionale, e me theks fokusimi i dikasterit përkatës në akomodimin e komunitetit serb shpesh po e ngadalëson reformën në qeverisjen lokale. Për më tepër, një qasje ad-hoc në avancimin e politikave dhe legjislacionit nga niveli qendrorë nuk po arrin të ofroi një zhvillim koheziv.

Intervenimet e tilla pa një plan të integruar, në shumë raste po thellojnë dualizmin e përgjegjësive, po ashtu edhe pengesat në njohjen dhe familjarizimin me rregullativën. Disa nga politikat po e prekin dhe ndikojnë autonominë lokale, duke i bërë ato të operojnë në një mjedis ku në shumicën e rasteve ndikohen nga zhvillimet në nivelin qendror të qeverisjes, dhe si të tilla, rrezikojnë fuqizimin e nivelit lokal.

Lajmi.net: Si e shihni rolin e Kuvendeve Komunale, sa po tregohen të suksesshme?

Tahiri:  Në sistemin aktual qeverisës kemi dy institucione që marrin besim të drejtpërdrejt nga qytetarët (kryetari dhe këshilltarët komunal). Kjo formë ka  kredenciale të larta demokratike, ku qytetari zgjedh drejtpërdrejt përfaqësuesit.

Mirëpo në praktikë, neve na shpërfaqet një deficit i thellë demokratik, kjo për faktin se trekëndëshi i kontrollit dhe i balancit nuk funksionon. Pra, fuqia e lartë e ekzekutivit, mekanizmat e dobët të mbikëqyrjes dhe kontrollit nga kuvendet komunale, shto këtu edhe apatinë qytetare dobësojnë ndjeshëm parimet e qeverisjes së mirë.

Asambleja komunale, është kthyer në forum për ngritje dore, e në fakt do të duhej të ishte mbikëqyrje dhe forcim i demokracisë dhe kërkim i llogaridhënies. Ndërsa kjo nuk ndodh vetëm për faktin e se asambleistat nuk angazhohet mjaftueshëm, por edhe për faktin se kjo pozitë është projektuar si pozicion i pafuqishëm qeverisës dhe politik.

Kësisoj, ne kemi një problem ose sfide tjetër zinxhirore, që pjesërisht është derivat i trajtimit jo adekuat të këshilltarëve e pjesërisht i kulturës jo fort të konsoliduar demokratike. Këtu nuk duhet harruar edhe mos funksionalizimit e trupave të kuvendit si mekanizma të rëndësishëm të politikëbërjes kualitative dhe profesionale. E krejt kjo ka për pasojë  llogaridhënien e dobët brenda komunës dhe mungesën e mbikëqyrjes normative dhe zhvillimore.

Lajmi.net: Ndarja e buxhetit që bëhet për pushtetin lokal a vlerësoni se po bëhet në mënyrë të drejtë apo në bazë të interesave partiake?

Tahiri:Ligji për Financa Lokale dhe ligjet që rregullojnë pushtetin lokal janë rrjedhojë e procesit të decentralizimit nga viti 2008. Për shkak të qasjes së lartë dhe të thellë të mbikëqyrjes dhe monitorimit, këto ligje janë cilësuar si mjaft praktike në atë kohë.

Ndërkaq, 8 vite pas, ky ligj dhe ligjet e tjera që lidhen me zhvillimin komunal duhet të ri-shikohen dhe ri-mendohen në funksion të avancimit, në të kundërtën i bie se po trajtojnë komunën si një nxënës të dobët. Si rrjedhojë, ekziston nevoja për ndryshimin e kornizës së përgjithshme të ligjit për financa lokale dhe rishikimin e legjislacionit, duke marrë parasysh se komunat tani kanë autonomi të madhe e mos-financimi i duhur prek drejtpërdrejtë funksionimin e tyre.

Për më tepër, duhet theksuar se decentralizimi mund të jetë i suksesshëm dhe sistemi i komunave siç është tani mund të funksionojë vetëm nëse ka financim të duhur dhe të qëndrueshëm. Ndër të tjera, duhet të ceket se vetëm 18% e buxhetit të komunave vjen nga të hyrat vetanake me pjesën tjetër nga niveli qendror, që do të thotë se ka një varshmëri të madhe nga niveli qendror dhe ministritë e caktuara.

Andaj Ligji për financa lokale duhet të rrisë ndjeshëm autonominë fiskale të komunave; Të bëhet një analizë për ligjet primare dhe sekondare në funksion të harmonizimit të kompetencave me financat; Qarkoret buxhetore t’i përshtaten kohës, duke u kthyer në mekanizëm i zhvillimit të qëndrueshëm; Të shikohen mundësi të reja të financimit dhe që procesi i hartimit të Ligjit për zhvillim të barabartë regjional ti ketë parasysh zvogëlimin e hendeqeve zhvillimore regjionale. Krejt në fund, duhen të merren hapa në raport me menaxhimin më të mirë dhe një qasjeje të re të financimit.

 Lajmi.net: Në vitin 2017 do të ketë zgjedhje lokale në Kosovë. A prisni ndryshime sa i përket qeverisjes në Komuna?

Tahiri: Gjatë vitit 2017, niveli lokal duhet të bëhet prioritet i domosdoshëm për vendin. Nivelit lokal i nevojitet një rregullativë që i kthen komunat në rolin real qeverisës nga ai i administrimit. Kjo do të mundësonte që pronësia dhe përgjegjësia e plotë e qeverisjes të validohet nga zgjedhësit.

Për më tepër, në mënyrë që zhvillimi lokal të vihet në agjendë të prioriteteve të garniturave politike në vend, duhet të bëhet një analizë e trendeve dhe performancës së autoriteteve të nivelit lokal lidhur me ofrimin e shërbimeve në mënyrë që të shihet impakti i institucioneve të pushtetit lokal në zhvillimin e përgjithshëm të vendit.

Ndërkaq ajo që është tejet e rëndësishme të ndodhë është ka të bëjë me projeksionet për një udhëheqje me qasje pro-aktive të menaxhimit. Përfshirja sa më e gjerë e profesionistëve të ri duke i dhënë komunave një lidership transformues./Lajmi.net/