Tahiri nga Tetova, kërkon unitet të partive shqiptare në Maqedoni

Ministrja pa portofol e angazhuar për dialog me Serbinë, Edita Tahiri, u ka bërë thirrje partive politike shqiptare të Maqedonisë që të kenë unitet rreth çështjes nacionale, respektivisht për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Lajme

06/05/2015 17:21

Këto komente Tahiri i bëri gjatë një ligjërate në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), në Tetovë ku foli për progresin dhe sfidat në shtet-ndërtimin e Kosovës, për marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Maqedonisë, për nevojën e avancimit të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, si dhe për perspektivën euroatlantike të vendeve të rajonit.

Tahiri theksoi se Kosova udhëhiqet nga vizioni euro-atlantik dhe ka bërë përparime shumë të rëndësishme në procesin e ndërtimit të një shteti demokratik dhe funksional duke ndërmarrë reforma të gjithanshme evropiane me synim që të bëhet sa më shpejtë anëtare e BE-së, NATO-së, OKB-së dhe organizatave tjera relevante.

tahiri-tetova