Tahiri nënshkroi Memorandum me KMDLNJ-në për monitorimin e Shërbimit Korrektues

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka nënshkruar sot Memorandum të Bashkëpunimit me kryetarin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, për monitorimin e punës së Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Lajme

07/12/2017 12:03

Ministri Tahiri u shpreh i bindur se ky Memorandum do të rrisë transparencën e këtij Shërbimi, dhe do të avancojë edhe më tutje respektimin e të drejtave të të burgosurve në Republikën e Kosovës.

Përvoja e gjatë që KMDLNJ ka në monitorimin e burgjeve, bënë që ministri Tahiri të besojë që këshillat dhe rekomandimet e tyre do t’i mundësojnë Ministrisë së Drejtësisë që të trajtojnë të privuarit nga liria konform konventave ndërkombëtare, thuhet në njoftimin ministror.

“Ata njerëz që sot vuajnë dënimin për çfarëdo vepre, që janë në qendrat Korrektuese në Republikën e Kosovës, nesër kur të dalin nga aty, të jenë të gatshëm të jenë pjesë e shoqërisë sonë” ka thënë ministri Tahiri.

Për Shala, që bënë monitorimin e burgjeve që nga themelimi i institucioneve të Kosovës, Shërbimi Korrektues, krahasuar me shërbimet e ngjashme në rajon,  është më i miri.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës ka qenë institucioni më transparent dhe më llogaridhënës duke mos na penguar asnjëherë në asnjë proces të monitorimit, transmeton lajmi.net.

Raportet tona kanë qenë rekomanduese, në mënyrë që përmes përmirësimit të kushteve të të burgosurve, që është objektiv i yni, ta ndihmojmë punën e Shërbimit Korrektues” ka thënë Shala.

Ndër të tjera, ai ka kërkuar që t’i kushtohet vëmendje edhe të punësuarve në këto Qendra dhe stafit tjetër administrativ, ndërkohë që është shprehur i bindur që rritja e buxhetit, që parashihet të bëhet pas 4 viteve që ishte i pandryshuar, do të rris cilësinë e trajtimit të të burgosurve.

Ministri Tahiri e ftoj Shala që të jetë pjesë e plotësim ndryshimit të Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, që me rekomandime dhe këshilla të ndikoj direkt që ky ligj të bëhet konform konventave ndërkombëtare. /Lajmi.net/