Tahiri: Miratimi i Pakos së Gjyqësorit reflekton përpjekje të përbashkët për të fuqizuar sundimin e ligjit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri i është gëzuar miratimit në parim të tri projektligjeve sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka theksuar se ky miratim është përpjekje e përbashkët e fuqizimit të sundimit të ligjit.

Lajme

17/04/2018 16:54

“Kuvendi i Republikës së Kosovës sot miratoi në parim tre projektligjet e Pakos së Gjyqësorit, përkatësisht Projektligjin për Gjykatat, Projektligjin për Këshillin Prokurorial dhe për Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Kjo reflekton një përpjekje të përbashkët për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe për të definuar qartë dhe saktë kompetencat dhe mandatin kushtetues të sistemit gjyqësor, si degë e tretë dhe e pavarur e pushtetit” ka shkruar Tahiri.

Sipas Tahirit, këto projektligje do të sjellin një epokë të re në sistemin e drejtësisë në Kosovë, që do të karakterizohet nga përgjegjësia, transparenca, efikasiteti dhe llogaridhënia.

“Ka qenë një angazhim i madh i imi si Ministër, që përmes këtyre projektligjeve të mundësojmë një epokë të re në sistemin tonë të drejtësisë. Uroj që sa më parë komisionet përkatëse të Kuvendit të bëjnë punën e tyre të cilat do t’i mbështes fuqimisht, në mënyrë që të kemi sa më parë në agjendë miratimin përfundimtar të këtyre projektligjeve, për të realizuar kështu një reformë kuptimplote në sistemin tonë gjyqësor, të karakterizuar nga përgjegjësia, transparenca, efikasiteti dhe llogaridhënia”, ka përfunduar Tahiri.