Tahiri: Lejova rrënimin e Shtëpisë së Kulturës që të mos dëmtohet buxheti i Komunës

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se ka marrë vendim për ta rrënuar Shtëpinë e Kulturës edhe pse ka qenë kundër, në mënyrë që komuna të mos dëmtohej financiarisht.

Lajme

28/05/2018 19:37

“Në mes të mbajtjes së një premtimi dhe rrezikut financiar të komunës nga një kontratë e shpallur, kam vendosur që të mos e dëmtoj financiarisht komunën, pasi do të humbte qindra mijëra euro në një proces gjyqësor”, ka thënë Tahiri në Klan Kosova.

“U kam treguar qytetarëve se nuk ka asgjë për të fshehur. Sikur unë ta anuloja tenderin që ishte shpallur, procesi do të shkonte në gjykatë. Unë e kam gjetur një kontratë të gatshme për nënshkrim”.

“Sikur unë ta anuloja kontratën për rrënim të Shtëpisë se Kulturës do të humbim ndaj operatorit ekonomik që e ka fituar tenderin. Kur shpallet fituesi i tenderit nuk mund të anulohet”.

“Përballë mbajtjes së një premtimi dhe një dëmi financiar bashkë me koalicionin kam zgjedhur të mos e dëmtoj komunën financiarisht”.

Sipas Tahirit, vendimit për rrënimin e qendrës përkrahje i ka dhënë edhe ish kryetari i kësaj komune nga PDK, Bajram Mulaku.

“Vendimi për rrënimin e qendrës është marrë nga PDK”.