Tahiri: Kosova meriton mbështetjen e vendeve anëtare të BE’së

Edita Tahiri, thotë se Kosova po tregohet serioze në afirmimin e politikave evropiane në mënyrë që të sigurojë paqe dhe stabilitet në rajon. Ndërkaq, Mats Staffansson, pohon se shteti i tij është i përkushtuar ta ndihmojë Kosovën drejtë rrugës europiane.

Lajme

25/03/2014 20:38

Zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, është takuar sot me ambasadorin jo-rezident të Suedisë në Kosovë, Mats Staffansson, të cilin e njoftoi për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës rreth realizimit të prioriteteve strategjike në reformat –euroatlantike, në fushën e drejtësisë, ekonomisë dhe të sigurisë.

Tahiri deklaroi se Kosova dhe qytetarët e saj sot si asnjëherë më parë e meritojnë mbështetjen e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në procesin e integrimit në familjen evropiane, si një shtet me vizion të qartë euroatlantik.

Sipas saj, nënshkrimi i Marrëveshjes të Stabilizim Asociimit me BE-në dhe liberalizimi i vizave në këtë vit, do të jenë dëshmia më e mirë e mbështetjes evropiane për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Tahiri foli edhe për politikat e fqinjësisë së mirë dhe përparimet që po bëhen në këtë drejtim si dhe për sfidat e dialogut të normalizimit të marrëdhënieve.

Ajo theksoi se Kosova po tregohet serioze në afirmimin e politikave evropiane në rajon dhe me fqinjët, në përpjekje për të siguruar paqe dhe stabilitet në rajonin e Europës Juglindore.

Ndërsa, ambasadori Staffansson, tha se shteti i tij mbetet i përkushtuar fuqimisht në përkrahjen e Kosovës drejt rrugës së saj për në familjen evropiane dhe strukturat transatlantike.

Ai vlerësoi se në vitet e fundit janë shënuar përparime të mëdha dhe se natyrisht mbështetja nuk do të mungojë, në kuadër të procesit euro-integrues.

Staffanson foli edhe për marrëveshjen e Brukselit duke theksuar se të gjitha këto të arritura janë kontribut për paqen, stabilitetin dhe plotësimin e kushteve për integrimet evropiane si për Kosovën po ashtu edhe për Serbinë.

Ndërsa për të arriturat, ai tha se duhen zbatuar sipas planeve pasi që konsiderohen si kontribut i fuqishëm për integrimin e gjithë rajonit të Ballkanit në strukturat euroatlantike.

Në fund të këtij takimi, të dy bashkëbiseduesit i vlerësuan lartë marrëdhëniet bilaterale në mes të Kosovës dhe Suedisë si shumë të mira, duke shprehur gatishmëri që ato të avancohet edhe me tutje në të ardhmen.