Tahiri kërkon mbështetjen e homologes gjermane në agjendën integruese dhe liberalizimin e vizave

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri po qëndron në një vizitë zyrtare në Gjermani me ftesë të Ministres Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, Katarina Barley.

Lajme

19/09/2018 17:47

Në takimin dypalësh, Tahiri  ka njoftuar homologen gjermane për angazhimin në përmbushjen e Agjendës së Reformave Evropiane, reformat në drejtësinë penale, kodifikimin e të drejtës civile, bashkëpunimin juridik ndërkombëtar si dhe për reformën strukturore të sektorit të sundimit të ligjit.

Ministri Tahiri ka shprehur konsideratën e lartë për kontributin që Gjermania ka dhënë në gjithë procesin e shtetndërtimit të Kosovës, si dhe  mbështetjen e dhënë për procesin e liberalizimit të vizave.

Në këtë kuadër, Tahiri ka kërkuar mbështetje edhe në fuqizimin e kapaciteteve të mjekësisë ligjore përmes akreditimit të programeve dhe trajnimit të punonjësve mjekoligjor në fusha specifike si dhe në konsolidimin e drejtësisë komerciale përmes një programi të veçantë të trajnimit për organet e sundimit të ligjit në çështjet që ndërlidhen me efikasitetin e shërbimeve gjyqësore ndaj sektorit të biznesit.

Nga ana e saj, Ministrja Federale e Drejtësisë së Gjermanisë, Barley ka mirëpritur angazhimin institucional në fushën e sundimin të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe ka shprehur mbështetjen e plotë të Gjermanisë për proceset e reformave të ndërmarra./Lajmi.net/