Tahiri: Kemi transformuar politikën penale, do të jetë shumë e ashpër

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett në konferencën e hapjes së “Javës kundër Korrupsionit”, ka thënë se Qeveria duhet të dëshmojë se është e gatshme të ndëshkojë zyrtarët e korruptuar.

Lajme

10/12/2018 18:38

Këtë deklaratë të ambasadorit Kosnett, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri e ka cilësuar si shqetësuese.

Është shqetësuese kur vjen nga një diplomat i një vendi mik, partner strategjik i Kosovës mirëpo Kosova për herë të parë ka një politikë, që ende nuk ka hyrë ë fuqi, por po hyjnë në fuqi një mori ligjesh që janë tejet të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Sot kur po flasim, jam i lumtur që kemi arritur të përmbyllim një cikël të rëndësishëm të drafitimit të ligjeve që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Është e pamoralshme ta konstatoj nëse është e vërtetë ose jo, janë shumë shqetësuese, ka qenë edhe shqetësimi yni, edhe si Ministër i Drejtësisë, nga fillimi kur e kam marrë detyrën”.

Tahiri në Info Magazine të Klan Kosovës ka përmendur disa ligje, që sipas tij, kanë mundësuar edhe transformimin e politikës penale.

“Ka qenë edhe te mungese e ligjeve, nuk kemi pasë një ligj që mundëson efikasitet në konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Tashmë kemi politikë të re që ju jep instrumente shtesë prokurorëve dhe gjyqtarëve në konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme”.

“Kemi arritur të përpilojmë një ligj që besoj që shumë shpejt hyn në fuqi. Prokurorët kanë instrumente shtesë për hetim dhe konfiskim të pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme”.

“Ne kemi pasë një zbrazëtirë, disa të meta në kuadër të legjislacionit tonë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nuk pretendojmë se kemi arritur perfekten, kam bashkëpunuar ngushtë me Ambasadën e SHBA-vë në Kosovë të cilët më kanë ndihmuar me shumë ekspertë në këto projektligje”.

“Kemi arritur të bëjmë një transformim të politikës penale që besoj që do të jetë shumë e ashpër”.

“Ne kemi kaluar një periudhë ku shumë vepra penale janë parashkruar si rezultat i kohës së shkurtër, është zgjatur afati i parashkrimit. Është miratuar po ashtu ligji për konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme, ashtu sikur edhe është miratuar ligji për sinjalizues”.

Ministri i Drejtësisë, ka thënë se pasi presidenti i vendit, Hashim Thaçi, të nënshkruajë këto projektligje, do të nisë një kampanjë që qytetarët, shërbyesit civilë dhe punëtorët në kompani private ta kenë të qartë se me çfarë kanë të bëjnë.

Tahiri ka komentuar edhe deklaratën e ambasadorit britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, i cili ka deklaruar në “Javën kundër Korrupsionit” se “nuk është e mjaftueshme vetëm të bëhen ligje, por të ketë trimëri që të luftohet ai edhe në terren”.

“Ne kemi pasë dhe vazhdojmë të kemi prokurorë dhe gjyqtarë profesionistë dhe trima. Me gjykatës nuk kemi qenë mirë, tashmë është miratuar ligji për Prokurorin e Shtetit, po rritet numri i prokurorëve në Prokurorinë Speciale që mandatin e saj ka luftën kundër krimit dhe korrupsionit”.

“Jemi duke kompletuar edhe në aspektin legjislativ, edhe në përmbushjen e kapaciteteve. Shqetësimet e ambasadorëve [amerikan dhe britanik] kanë qenë edhe shqetësime të miat që më kanë shtyrë të bëjë një reformim të thellë të Kodit Penal”.