Tahiri flet për bastisjen në burgun e Dubravës, thotë s’do të tolerohen parregullsi

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri përmes llogarisë së tij në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë aksion brenda Qendrës Korrektuese në Dubravë, për të parandaluar tentimin e disa personave për furnizim me materiale të ndaluara.

Lajme

30/05/2018 14:01

“Masat tona parandaluese ndaj dukurive negative brenda Qendrave Korrektuese janë duke dhënë rezultate konkrete dhe padyshim se do të rrisin nivelin e sigurisë brenda sistemit korrektues. Sot është organizuar një kontroll në Qendrën Korrektuese në Dubravë, në të cilin autoritetet përgjegjëse të sigurisë kanë evituar disa tentativa për furnizim të personave në vuajtje të dënimit me materiale të ndaluara. Ky aksion është në funksion të zbatimit të legjislacionit në fuqi dhe politikave konkrete që kemi ndërmarrë për funksionimin sa më të mirë dhe profesional të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, ka shkruar Tahiri.

Për më shumë, ministri Tahiri shprehu edhe njëherë përkushtimin e tij për të forcuar më tej Shërbimin Korrektues të Kosovës, për profesionalizëm, siguri dhe respektim të integritetit të personave në vuajtje të dënimit.

“Krahas respektimit të të drejtave dhe dinjitetit të personave në vuajtje të dënimit, zbatimi i duhur i rendit dhe sigurisë brenda sistemit korrektues, është kusht i domosdoshëm për realizimin e mandatit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, i cili ç’do ditë e më tepër po avancon drejt profesionalizmit, sigurisë dhe respektimit të integritetit të personave në vuajtje të dënimit” ka shkruar Tahiri.

Për gjithë këtë sukses, ministri Tahiri ka falënderuar edhe Policinë e Kosovës, që sipas tij, edhe gjatë këtij aksioni dëshmoi edhe njëherë profesionalizmin e lartë të saj. /Lajmi.net/