Tahiri: Dekadën e re po e fillojmë reformën më të madhe në drejtësi

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, e ka quajtur Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit reformën më të madhe që ndonjëherë është ndërmarrë në Republikën e Kosovës.

Lajme

09/03/2018 13:49

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka shkruar për ceremoninë e nisjes së kësaj reforme, të cilën e bëri sot në hotelin Swiss, në krah me udhëheqësit më të lartë shtetëror të Republikës.

“Sot ishte një ditë tejet e veçantë për sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës – hapja e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, e cila na ftoi për debat që synonte të përcaktojë të ardhmen e sistemit të drejtësisë në vend. Sundimi i ligjit, në politikën publike të shekullit 21, përbën njërin nga parimet themelore të një shoqërie demokratike dhe një kusht të domosdoshëm për rendin demokratik dhe shtetin ligjor”, ka shkruar Tahiri.

Ministri ka potencuar se kjo reformë nënkupton harmonizim i parimeve, legjislacionit, dhe institucioneve gjegjëse të këtij sektori.

“Meqenëse, tashmë kur kemi hyrë në dekadën e re të pavarësisë së vendit, Ministria e Drejtësisë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka marrë përsipër të nxisë një analizë gjithëpërfshirëse të sektorit të sundimit të ligjit, e cila pritet të harmonizojë përfundimisht parimet, legjislacionin dhe institucionet përgjegjëse në këtë sektor, në mënyrë që nga ky proces i rishikimit funksional dhe nga kjo analizë, të formohen konturat e forcimit të bazës së sistemit të drejtësisë dhe të definohet zhvillimi i tij në të ardhmen, brenda një mendësie demokratike dhe progresive”, ka shkruar më tej ministri.

E për ta bërë një sistem të dobishëm për të gjithë qytetarët, ministri ka kërkuar bashkëpunim nga të gjithë akterët relevant.

“Ftoj për gjithëpërfshirje që të punojmë dhe kontribuojmë në mënyrë konkrete dhe që këtë proces ta përmbyllim me një konsensus të përbashkët, për sistemin e drejtësisë çfarë e duam, çfarë e përcakton rendi demokratik dhe çfarë e presin qytetarët tanë”, ka përfunduar Tahiri.