Tahiri: Ballafaqimi me Dhomat e Specializuara, i domosdoshëm për të vërtetuar luftën e pastër të UÇK-së

Pretendimeve për krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës njëherë e përgjithmonë do t’iu vije fundi, pas gjykimeve në Dhomat e Specializuara. Kështu është shprehur i pari i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, përmes një statusi në rrjetin social Facebook.

Lajme

13/12/2018 15:23

Tahiri ka shkruar se pas gjykimeve, do të zbardhet e vërteta, transmeton lajmi.net.

Përgjatë 20 viteve kemi rrugëtuar në konsolidimin e Republikës së Kosovës, si vend demokratik, ku sundon rendi dhe ligji dhe në këtë rrugëtim kemi pasur mbështetjen e partnerëve tanë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Përkundër faktit se si shoqëri, ne kemi trashëguar krenarinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si luftë e pastër për çlirim, nga qarqe tjera ka pasur aludime për krime lufte, si rezultat i të cilave u shtrua nevoja për një gjykatë speciale për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë pretendimeve dhe për të zbardhur të vërtetën” ka shkruar ai.

Për më shumë, ministri Tahiri ka kërkuar nga të gjithë që të bashkëpunojnë me këtë gjykatë.

“Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit tonë kushtetues, janë ndërtuar mbi standardet e avancuara të të drejtave të njeriut dhe nga këto dhoma nuk presim asgjë më pak sesa trajtim dinjitoz, respektim të plotë të rregullave dhe procedurave ligjore si dhe gjykime të bazuara ekskluzivisht mbi parimet më fundamentale të shtetit ligjor. Mbi këtë bazë, konsideroj dhe ftoj çdo qytetar të Kosovës që mund të jetë subjekt i paraqitjes pranë këtyre dhomave, që të mos evitojë në asnjë rrethanë bashkëpunimin me to sepse kjo nuk i kontribuon shtetit të së drejtës. Vetëm duke bashkëpunuar plotësisht me Dhomat e Specializuara ne do të rikonfirmoj luftën e drejt dhe të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” ka përfunduar statusin e tij Tahiri. /Lajmi.net/