Tahiri ashpërson legjislacionin për keqpërdoruesit e pushtetit

Njëri prej ligjeve më të rëndësishme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, është rishikuar dhe plotësuar me standardet e fundit të kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Lajme

11/06/2018 14:34

Bëhet fjalë për Projektligjin e ri për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së paligjshme, i cili nuk është treguar shumë efektiv në zbatim. Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, pas një konference për shtyp, edhe përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka thënë se rregullativa e re do të jetë më e ashpër ndaj keqpërdoruesve publik e politik të pushtetit.

“Jam i bindur se me këtë projektligj, po bëjmë hapin më vendimtar ndaj keqpërdoruesve, ndaj personave që merren me krim të organizuar, ndaj personave zyrtar e politik që mund të kenë llogaritur se do të mund të pasurohen përmes korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin” ka shkruar ai. Sipas tij, gjithë këto ndryshime janë bërë pasi vetë Tahiri nuk ka mundur të qëndroj indiferent ndaj mosbzatimit të duhur.

“Projektligji i ri ka sjellë risi të mëdha, ndër të cilat: Shtimin e numrit të veprave penale për të cilat vlenë konfiskimi i pasurisë, zgjerimin e konfiskimit për çdo pasuri të përfituar me vepër penale në dhjetë vitet e fundit, nga momenti i nisjes së hetimit për një vepër penale për të cilën dënohet një person, konfiskimi është zgjeruar jo vetëm për të pandehurin por edhe për palët e treta nëse nuk janë blerës bona fide i asaj pasurie, duke pamundësuar transferimin e pasurisë së të pandehurit tek palët tjera me qëllim të fshehjes apo përdorimit për interes të të pandehurit, konfiskimin e pasurisë për çdo vepër penale që ka sjellë përfitime materiale mbi 10 mijë euro, dhe ndër më të rëndësishmet, barra e provës me këtë projektligj kalon nga prokurori tek i dyshuari, përmes një sistemi proporcional, ku prokurori duhet të dëshmojë se pasuria e listuar për verifikim, është pasuri e të pandehurit, ndërsa i pandehuri duhet të dëshmojë se atë pasuri e ka përfituar me burime të ligjshme, për të cilat duhet të ofrojë prova” ka shkruar Tahiri. Puna e bërë në këtë Projektligj, sipas Tahiri, ka bërë që vetë Kosova të klasifikohet e të jetë model në këtë fushë edhe vetë brenda Bashkimit Evropian.

“Ky projektligj, është ndër më të rëndësishmit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe si i tillë, Republikën e Kosovës e klasifikon si një prej shteteve me sistemin më të avancuar në rajon dhe brenda vetë Bashkimit Evropian, sa i përket procedurave dhe modelit të konfiskimit të pasurisë së përfituar me vepër penale. Është shprehje e vullnetit tim politik si ministër i drejtësisë, për luftë të pa kompromis kundër këtyre dukurive, dhe si i tillë, tregon përkushtimin e Republikës së Kosovës për të çuar një mesazh të fuqishëm ndaj të gjithë atyre që për vite në mënyrë të paligjshme kanë përfituar pasuri nga veprat penale, se një gjë e tillë tashmë nuk do të jetë e mundur” ka thënë Tahiri.