Tahiri: Albin Kurti, mohuesi më i madh i Republikës së Kosovës

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, duke folur për aneks-marrëveshjen e Demarkacionit mes Presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi, ka thënë që rëndësia kryesore e kësaj marrëveshje qëndron në faktin se kjo garanton adresimin e të gjitha shqetësimeve të kundërshtuesve të Demarkacionit, edhe pas miratimit të tij.

Lajme

21/02/2018 17:46

Ai shtoi se kjo marrëveshje ka vënë në pah dy fakte kryesore, dhe ato janë kundërshtarët e Kosovës jashtë dhe brenda saj, raporton lajmi.net.

Sipas Tahirit, kundërshtari kryesor i Kosovës jashtë saj është Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili me agjendat e tij kundër shtetit të Kosovës, po i bën presion akterëve serb në Kosovë për votën kundër kësaj marrëveshje.

Ndërkaq sipas tij, armiku kryesor i brendshëm është Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, që sipas tij është mohuesi më i madh i shtetësisë së Kosovës.

“Kjo marrëveshje ka nxjerrë në pah dy gjëra: kundërshtarët e Kosovës janë jashtë dhe brenda,  i pari Presidenti Serb, Aleksander Vuçiq, dhe adresa e dytë është e brendshme, dhe ai është Albin Kurti i cili po vazhdon të shantazhojë deputetët e vet, ai është mohuesi më i madh i Republikës së Kosovës. Jam i bindur që do të ketë deputetë edhe brenda VV-së që do të dalin kundër agjendës së Presidentit Serb” tha Tahiri.

“Presidenti  Thaçi ka thirrur një takim të gjithë akterëve të drejtësisë për adresimin në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, lufta kundër këtyre dukurive ka shënuar progres, konsideroj që po bëjmë hapa mjaft serioz në implementimin e agjendës së gjyqësorit  i cili ofron efikasitet më të madh të Gjykatave, kemi përfunduar kodin e ri penal, finalizimi i tij do ti shkurtojë afatet, dhe shpresojmë që deri në mars të dërgohet në Kuvend.” Përfundoi Tahiri.