Zvicra dhe Austria, 3 milionë euro për zhvillimin e zonave jourbane në Shqipëri

Zvicra dhe Austria do të bashkëfinancojnë zhvillimin e zonave larg qendrave të mëdha urbane në Shqipëri.

Lajme

18/05/2017 09:30

Bëhet fjalë për rreth mbi 3 milionë euro. Një pjesë e fondit do të përfitohet në formë grantesh nga pushteti vendor për projekte komunitare.

Christoph Graf, ambasador i Zvicrës në Tiranë, tha: “Po ndihmojmë pushtetin vendor që të thotë fjalën e tij. Një grup bashkish mund të hartojnë projekte të përbashkëta, për shembull, në sektorin e mbetjeve, ose projekte në furnizimin me ujë apo kanalizimet e ujërave të zeza. Pra, bashkitë duhet t’i bashkojnë forcat për të hartuar projekte në nivel rajonal. E gjithë kjo pasi të jetë pyetur komuniteti për rëndësinë e këtij investimi, pra një mënyrë vendimmarrjeje nga poshtë-lart”, tha Graf, përcjell albinfo.ch.

Siç raporton Top-Channel, projektet do t’i paraqiten për aprovim bordit të 4 agjencive rajonale. Ambasadori Graf thotë se fondi synon të arrijë kryesisht zonat e neglizhuara.

“Objektivi kryesor është të ketë një balancë të zhvillimit mes rajoneve, sepse jo të gjitha zhvillimet ekonomike ndodhin në Tiranë, por ka edhe zona të tjera me potencial në bujqësi, për shembull, Peshkopia ose veriu i vendit, Shkodra, mund të prodhojnë më shumë”, u shpreh Graf.