​Zgjerimi i rrugës “Martirët e Kombit”, Krasniqi dhe Gjini përuruan fillimin e punimeve

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, vizituan fillimin e punimeve për zgjerimin e segmentit rrugor “Ura e Tabakut” deri tek “Ura e Ahmet Efendisë”, rrugë kjo do të lidh qytetin e Gjakovës me Rekën e Keqe dhe me dy pika kufitare me Shqipërinë. Derisa u theksua rëndësia…

Lajme

21/08/2023 12:41

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, vizituan fillimin e punimeve për zgjerimin e segmentit rrugor “Ura e Tabakut” deri tek “Ura e Ahmet Efendisë”, rrugë kjo do të lidh qytetin e Gjakovës me Rekën e Keqe dhe me dy pika kufitare me Shqipërinë. Derisa u theksua rëndësia e këtij projekti, aty u tha se i njëjti do të përfundojë këtë vit.

Kjo rrugë e cila do të lidhë Gjakovën me Shqipërinë, përmes pikave kufitare, “Qafë Prush” dhe “Qafë Morinë”, ka rëndësi të veçantë sepse i tejkalon kufijtë, tha ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Ky projekt në fjalë jo vetëm që ka një rëndësi të veçantë për Gjakovën, mirëpo rëndësia e tij po kalon edhe kufirin për shkak se lidh Gjakovën me Shqipërinë. Si ministër jam i lumtur dhe krenar që si qeveri kemi arritur që gjatë mandatit tonë edhe të rrisim grantin e performancës, mirëpo edhe të institucionalizojmë ligjin për raportimin e komunave për performancën komunale edhe mandej një grant qe del prej kësaj. Unë jam i bindur që si qeveri do të përkushtohemi që viteve të ardhshme që të rritet buxheti”, tha Krasniqi.

Në nisjen e punimeve në këtë segment rrugor, i pari i Gjakovës, Ardian Gjini tha se ky projekt është nacional.

“Jemi sot në nisjen e një projekti shumë të rëndësishëm për Komunën e Gjakovës, por edhe projekt nacional mund të themi. Është dalja e Gjakovës për Reke të Keqe dhe për pikën kufitafe “Qafë Morinë” që lidh Gjakovën me Bajram Currin, Tropojën dhe me pjesën veriore të Shqipërisë. Në të njëjtën kohë kalon nëpër zonë urbane të banuar, ka mbet një dalje jashtëzakonisht e keqe deri më tash. Jam shumë i lumtur që sot i nisim punët edhe që do të kryhet këtë vit. Financimi i këtij projekti bëhet prej grantit të performancës, diku në 950 mijë euro. 57 mijë euro janë të komunës. Granti i performancës është një skemë jashtëzakonisht e rëndësishme për komunat, ka filluar nga donatorë, të cilën janë quajtur në një ombrellë “Demos”. Ka vazhduar më pas të mbështetet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, nga Qeveria e Kosovës”, tha Gjini.

Në kuadër të Grantit të Performancës, Gjini theksoi se është edhe projekti i qendrës.

“Është projekti i rehabilitimit të qendrës , të cilin do ta nisim shumë shpejt po besoj, po duket që janë gati procedurat e prokurimit. Vlera e projektit është një 1 milion euro”, shtoi Gjini.

Ndërsa Shpend Emini nga “Projekti Demos” foli për rëndësinë e këtij projekti.

“Është i rëndësishëm jo vetëm për banorët e Gjakovës, por për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Ajo çka më duhet të them është se projekti Demos do të vazhdojë të bashkëpunojë për së afërmi me MAPL-në në ngritjen e performancës së komunave, në mënyrë që sa më shumë komuna të mund të përfitojnë nga ky grant”, përfundoi ai. /Sh.Pajaziti

Projekti “Zgjerimi i rrugës Martirët e Kombit” ka vlerë rreth 1 milion euro dhe është financuar nga Granti i Performancës Komunale.