Zgjedhjet nacionale, pas zgjedhjeve të brendshme partiake?

Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme për zgjedhje të parakohshme Qeveria aktuale e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj po vazhdon të funksionojë ndonëse koalicioni qeverisës nuk i ka as 61 numra në Kuvend. Pavarësisht zotimeve për t’i dhënë fund Qeverisë opozita e pranon që nuk i ka numrat e nevojshëm për ta bërë një hap të tillë aktualisht.

Lajme

04/04/2019 07:49

Ka kaluar më shumë se një vit prejse partitë opozitare kanë nisur paralajmërimet për rrëzimin e Qeverisë. Mirëpo deri më tash nuk është bërë asnjë hap konkret që do të çonte drejt zgjedhjeve të parakohshme nacionale. Madje një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë edhe për një kohë, derisa dy partitë më të mëdha parlamentare, LDK-ja e PDK-ja, t’i përfundojnë zgjedhjet e brendshme.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se përqendrimi i disa prej partive aktualisht është në procesin e brendshëm zgjedhor.

Së këndejmi ata konsiderojnë se zgjedhjet nacionale do të mbahen tek pasi të përfundojnë zgjedhjet e brendshme të partive, rrjedhimisht zgjedhje nacionale nuk do të ketë para vjeshtës së këtij viti, shkruan “Zëri”.

Por përfaqësuesit e LDK-së thonë se procesi i brendshëm zgjedhor nuk është pengesë për rrëzimin e Qeverisë aktuale. Megjithëkëtë nga LVV-ja pohojnë se opozita aktualisht nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta çuar vendin në zgjedhje të reja.