Vizitat amerikane në Kosovë, telefonata nga Kili: Furi perëndimore drejt Kurtit për rikthim në dialog

Pala ndërkombëtare kohëve të fundit ka shtuar thirrjet që Kosova dhe Serbia t’i kthen dialogut në mënyre që një marrëveshje, gjithëpërfshirëse e cila ka në esencë njohjen reciproke mes dy shteteve, të arrihet sa më shpejt.

Lajme

29/04/2022 22:35

Pikërisht për çështjen e dialogut, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, kohëve të fundit kanë pritur në takim diplomatë të ndryshëm të cilët kanë ritheksuar nevojën që dialogu të rifilloi pa humbur kohë, shkruan lajmi.net.

Që perëndimi është serioz në këto deklarime, mund të vërehet edhe sot, kur gjatë ditës, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të takohen përsëri me 13 maj për të diskutuar rreth çështjes së targave.

Kujtojmë që takimi i fundit mes dy delegacioneve ka ndodhur pak ditë më parë, ku një marrëveshje përfundimtare për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë, dështoi të arrihet.

Por ky nuk është i vetmi sinjal nga perëndimi i ka dhënë dy vendeve rreth dialogut. Kujtojmë se po ashtu jo shumë kohë më parë senatorët amerikanë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Thom Tillis erdhën në Prishtinë për një vizitë ku u takuan me Presidenten e vendit,  Vjosa Osmani, dhe Kryeministrin Albin Kurti.

Është pikërisht njëri nga këta tre senatorë, më saktësisht Chris Murphy, ai që ka komentuar vizitën e tyre dhe takimet që kanë pasur me liderët kosovarë.

Murphy, ka deklaruar se asnjëra nga shtetet, Kosova dhe Serbia, nuk kanë bërë mjaftueshëm në përparimin e procesit të dialogut dhe duke veçuar në këtë pikë qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Kurti, të cilën e ka cilësuar si “kokëfortë në vazhdimin e dialogut”.

Murphy përveç kësaj, ka deklaruar se e kupton dëshirën e Kosovës për anëtarësimin në BE dhe në NATO, por që diçka e tillë, siç ka deklaruar Murphy, mund të ndodhë vetëm pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Duhet shtuar se, senatorët menjëherë pas vizitës në Kosovë, kanë udhëtuar për në Beograd, për tu takuar me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Por, vizita e senatorëve nuk është e vetmja vizitë në Kosovë nga diplomatët amerikan.

Është vizita e Karen Donfried, e cila është Zëvendës-Sekretarja amerikane e Shtetit për çështje Europiane dhe Euro-Aziatike, dhe e Gabriel Escobar, i cili është Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, vizita që ndodhi pak ditë pas vizitës së senatorëve.

Edhe këta dy diplomatë, në veçanti, Donfried, u deklaruan rreth dialogut dhe marrëveshjes mes Serbisë, të cilën Donfried e ka cilësuar si të nevojshme.

Donfried në një deklarim të dhënë gjatë një konferencë për media, ka thënë se Kosova do ta zë vendin e saj në arenën ndërkombëtare përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila në qendër të saj e ka njohjen reciproke.

Përveç kësaj, Donfried ka deklaruar se SHBA-të e mbështesin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, sepse, siç ka thënë ajo, status quo është e paqëndrueshme dhe se kjo situatë vetëm sa e pengon Kosovën dhe  Serbinë dhe të ardhmen e tyre drejt Evropës.

Vlen të ceket se, njëjtë sikurse senatorët amerikan, edhe këta dy diplomatë, Donfried dhe Escobar, pas vizitës në Prishtinë, kanë udhëtuar drejt Beogradit, për tu takuar edhe atje me liderët e Serbisë.

Në vijë me këto takime dhe vizita të shpeshta, dje, Josep Borell, i cili është Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian, ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Është vetë Kurti ai që ka njoftuar për këtë bisedë me Borell, ku ka treguar se çështje e diskutimit gjatë kësaj telefonate ka qenë pikërisht dialogu Kosovë-Serbi.

Tjetër çfarë bëri përshtypje nga kjo telefonatë është se, siç njoftoi Kurti, Borell ka telefonuar të parin e Qeverisë nga Kili.

Karshi gjithë këtyre takimeve, e paralajmërimeve të takimeve, është lajmi i sotëm ai që tregon edhe më shumë bashkërendimin e politikave  ndërkombëtare, ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Ky lajm i sotëm, ka të bëjë me ftesën që Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, ua ka bërë Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiq.

Gjatë këtij takimi, siç është njoftuar dhe siç pritet, do të bisedohet për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të udhëhequr nga BE-ja, ku pjesë e takimit do të jetë edhe Miroslav Lajçak.

Ky takim i thirrur nga i pari i qeverisë gjermane, do të mbahet me 4 maj. /Lajmi.net/