Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës ende po hezitojnë të flasin

Gratë e dhunuara seksualisht gjatë luftës nuk po kanë guxim të lajmërohen në zyret e caktuar për t’iu njohur statusi dhe pensioni.

Lajme

05/07/2018 15:07

Kshtu u konstatua në konferencën mbi sfidat e trajtimit të kësaj kategorie të shoqërisë kosovare.

UN Ëomen në Prishtinë ka organizuar konferencën “Drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale të ndërlidhur me konflikt – Sfidat dhe rruga përpara”.

Kjo konferencë ka mbledhur akterët  kyç vendor dhe ndërkombëtar që të flasin rreth dhunës seksuale lidhur me konfliktin, ndikimet e saj dhe pengesat e ofrimit të drejtësisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shefja e zyrës së UN Ëomen në Kosovë, Flora Macula tha se numri i grave të dhunuara seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet saktë për shkak se shumë prej tyre hezitojnë të lajmërohen në zyret përkatëse.

“Dhunimi nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara njihet si krim ndaj njerëzimit dhe si mjet lufte, e këtë e kanë përjetuar rreth 20.000 gjatë luftës së fundit në Kosovë por ende nuk kemi shifra të sakta sepse shumë gra hezitojnë të identifikohen për dhunim. Kuvendi në vitin 2014 ka miratuar projektligjin që i njeh si viktima të luftës duke ju lejuar të aplikojnë për kompensime financiare mujore, shumë e cila nuk është shpërblim për vuajtjet e tyre” tha Macula.

Macula gjithashtu shtoi se hezitimi për identifikim ndodh gjithkund dhe jo vetëm në Kosovë.

“Ky hezitim nuk po ndodh vetëm te ne, Bosnja gjithashtu ka rreth 30.000 gra të identifikuara të dhunës seksuale, por që hezitojnë të marrin kompensimin për shkak të gjykimeve në shoqëritë patriarkale”, theksoi Macula.

I pranishëm në diskutim ishte edhe këshilltari politik i kryeministrit, Jahja Lluka, i cili tha se qeveria është duke punuar shumë në këtë drejtim.

“Ne si Qeveri po punojmë dhe e kemi përkrahjen e kryeministrit në çfarëdo nisme për të ndihmuar në zgjidhjen e këtyre rasteve. Shuma që Qeveria i kompenson këto viktima në bazë mujore nuk është aspak e mjaftueshme, edhe pse sa do që të kishte qenë nuk do të mund të ju kompensohej ajo që ato kanë përjetuar” tha Lluka.

Lluka gjithashtu i apeloi komisionit qeveritar dhe prokurorisë që të mos manipulojë me shifra sikurse në kategoritë e tjera të luftës.

“Komisionin qeveritar dhe prokurorinë i lus që të mos manipulojnë me shifra sikur në kategoritë e tjera. Shteti ka për obligim ti mbrojë viktimat sepse kjo gjë ka ndodhur në shume vende jo vetëm në Kosovë, ka ndodhë në Bosjë, por shifrat te ne janë të mëdha në krahasim me numrin e banorëve” shtoi Lluka.

Drita Hajdari nga Prokuroria Speciale e Kosovës tha prokuroria ka trashëguar shumë lëndë nga misionet e UNMIK-ut dhe EULEX-it

“Shumë lëndë të luftës së fundit janë marrë nga ne dhe ju janë dhënë së pari UNMIK-ut e pastaj EULEX-it dhe askush nuk ka pyetur pse! Unë supozoj se vendimi i marrjes në dorë të lëndëve të krimeve të luftës ka qenë veprim politik përderisa neve nuk na është lejuar. Rreth 900 lëndë për krime lufte dhe 2 mijë të tjera për të zhdukurit na ka lënë UNMIK-u dhe EULEX-i. Ne kemi arritur te identifikojmë disa kryes,  kemi lëshuar letër-arrest dhe po presim që ata të dalin jashtë Serbisë që të arrestohen” tha Hajdari

Ndërsa rreth numrit të viktimave të dhunës seksuale, prokurorja Hajdari tha se pa i pranuar rastet nuk mund të jap shifra.

“ Kroacia dhe Bosnja e kanë kundërshtuar këtë ligj e ne sot e kësaj dite kemi prokurori aktive në Serbi, e cila merr vendime për qytetarët tanë dhe jep njoftime për INTERPOL-in ku qytetaret tanë arrestohen për krime lufte edhe pse nuk e kanë kaluar pragun e shtetit për te luftuar ne Serbi” shtoi pos tjerash Hajdari.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare tha se janë përballur me vështirësi të mëdha në dokumentimin e viktimave të dhunës seksuale, ndërsa me kategoritë e tjera nuk kanë pasur asnjë problem.

“Ne kemi qenë të fokusuar në dokumentimin e personave të vrarë dhe të zhdukur, të cilët i kemi identifikuar me sukses,  por problem ka qenë dokumentimi i dhunës seksuale, sepse hezitojnë të flasin për krimin që ju është bërë”, tha Blakaj

Blakaj gjithashtu theksoi se nuk ka pasur asnjë të dënuar pë dhunim seksual deri në fundin e vitit 2017

“Fondi për të Drejtën Humanitare deri në fund të vitit të kaluar ka poseduar 48 aktakuza me 112 të akuzuar dhe vetëm një ka qenë aktakuzë për dhunim. Ndërsa nga 112 të akuzuar vetëm katër kanë qenë për dhunim, prej tyre 38 janë dënuar për krime lufte dhe asnjë për dhunim seksual” tha Blakaj.

Përfaqësuesja e pëhershme e UNDP-së Ulrika Richardson tha se nëse nuk dënohen kryesit e këtyre krimeve pengohet stabiliteti dhe paqja në shoqëri.

“Viktimat e dhunës seksuale në Kosovë gjatë luftës së fundit duhet ta dinë kush e ka kryer atë akt ndaj tyre dhe këta kryes duhet të sillen para drejtësisë. Ne duhet t’i përkrahim këto viktima me punësim dhe çasje të denjë në shoqëri, duhet të ju japim ndihmë psiko-sociale dhe juridike” tha Richardson. /Kallxo.com