Vezët e kontaminuara, Belgjika e mbajti sekret shqetësimin

Çështja e vezëve të kontaminuara holandeze është kthyer në një dhimbje të madhe koke për autoritetet europiane.

Bota

06/08/2017 13:18

Belgjika pranon se ishte e informuar që prej muajit qershor se, vezët që vinin nga fermat holandeze mund të kishin qenë të kontaminuara me një insekticid, një muaj para se çështja të bëhej publike.

Informacionet nuk u bënë të njohura për shkak të një hetimi për mashtrim, siç pohoi një zëdhënëse e Agjencisë belge për Sigurinë Ushqimore.

Ministri gjerman i Bujqësisë, Christian Schmidt shprehu shqetësimet lidhur me zbulimin dhe ka planifikuar të telefonojë homologun e tij të hënën. Të shtunën, ai tha se kontaminimi ishte shkaktuar nga një dezinfektues bimor.

“Qeveria gjermane e konsideron këtë një çështje shumë serioze. Në vendet e BE-së është e ndaluar të trajtosh kafshët e përdorura për ushqim me fipronil. Sipas asaj që dimë ne, kontaminimi është shkaktuar nga një dezinfektues bimor”, tha Christian Schmidt, ministri gjerman i Bujqësisë.

Testet laboratorike zbuluan te vezët holandeze praninë e kimikatit fipronil, i cili mund të dëmtojë veshkat, mëlçinë dhe gjendrat e tiroides.

Supermarketet në Belgjikë, Gjermani dhe Holandë kanë hequr nga tregu vezët, që dyshohet të jenë të kontaminuara. Një zyrtar gjerman tha se, deri në 10 milionë vezë me kimikatin toksik mund të jenë shitur në Gjermani.

Holanda është eksportuesi më i madh i vezëve në Europë, e një prej më të mëdhenjve në botë. Vendi eksporton rreth 65 për qind të 10 miliardw vezëve të prodhuara çdo vit. Rreth 180 pulari në Holandë janë mbyllur përkohësisht deri në përfundim të hetimeve. /TopChannel/