Vendi i Parë

PDK sot ka dalë me qëndrimin zyrtar për zgjedhjet. Zëdhënësi Blerand Stavileci ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrje dhe për rikonfirmim të saj si forcën e parë politike në vend.

Lajme

03/12/2013 14:12

Partia Demokratike e Kosovës sot ka dalë me qëndrimin e saj zyrtar për zgjedhjet lokale që përfunduan dy ditë më parë.

Zëdhënësi i kësaj partie, Blerand Stavileci, tha se me këto zgjedhje edhe një herë PDK është rikonfirmuar si forca e parë politike në vend.

“Votimi në zgjedhje, pra edhe votat e balotazhit, në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ju e dini që tashmë kemi rezultatet finale, me të cilat pra edhe një herë Partia Demokratike e Kosovës është rikonfirmuar si forca e parë politike në vend”.

“Ne prijmë edhe me numrin e Komunave të fituara, edhe me numrin e votave si parti, me një avantazh prej më shumë se 11 mijë vota, krahasuar me të dytin. Kemi po ashtu edhe numrin më të madh të ulëseve nëpër Asambletë Komunale, me një diferencë prej 34 sosh krahasuar me të dytin”.

Blerand Stavileci tha se PDK vlerëson lart procesin zgjedhor. Ai tha se Kosova ka kaluar një test të rëndësishëm demokratik.

Stavileci falënderoi të gjithë akterët e përfshirë në organizimin e zgjedhjeve, por edhe qytetarët për votimin dhe sjelljen e tyre gjatë ditës së votimit.

“Partia Demokratike e Kosovës vlerëson lart procesin demokratik, transparent, të zgjedhjeve, pra edhe atyre të 3 nëntorit por edhe të balotazhit, të mbajtura dy ditë më parë, ku edhe një herë vendi ynë kaloi një test të rëndësishëm demokratik, arritje e cila u përshëndet nga të gjithë me një notë shembullore, pra edhe nga organizatat vendore, edhe nga organizatat ndërkombëtare”.

“Prandaj, shfrytëzojmë rastin që t’i falënderojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për sjelljen e tyre të treguar, për pjekurinë e lartë demokratike tashmë të dëshmuar dhe votimin dinjitoz”.

“Po ashtu, i falënderojmë të gjithë akterët e këtyre zgjedhjeve, që ishin pjesë e organizimit të tyre, ata që kanë pasur si funksion themelor organizimin e këtij procesi, po edhe të gjithë të tjerët që kanë marrë pjesë. Pra, me këtë rast edhe institucionet vendore, edhe institucionet ndërkombëtare, vëzhguesit, komisionerët, misionet ndërkombëtare, të gjithë stafin e tyre, për angazhimin e dhënë gjatë këtyre zgjedhjeve. Natyrisht, edhe të gjitha mediat të cilat kanë raportuar në mënyrë të drejtë dhe korrekte”.

Stavileci tha se PDK respekton vendimin e qytetarëve por edhe kërkesën e tyre për reformimin e politikave, që janë në shërbim të interesit publik.

“Ne, duke respektuar vendimet e qytetarëve që kanë votuar në të dyja raundet, duam t’i falënderojmë të gjithë një nga një për besimin e dhënë, në veçanti për Partinë Demokratike të Kosovës, duke e rikonfirmuar edhe një herë si forcë të parë, por edhe kërkesën e tyre për një reformim të politikave që i shërbejnë interesit publik”.